I dërguari i posaçëm i SHBA-së dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global, James Rubin deklaroi se ka një perspektivë për një të ardhme më të ndritshme për rajonin, nëse zbatohet marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve.
Në konferencën për shtyp në Podgoricë, Rubin tha se SHBA-të i mirëpresin marrëveshjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilat BE-ja po punon dhe të cilat duhet t’u mundësojnë popujve të jetojnë pranë njëri-tjetrit, të njohin të drejtat dhe liritë e pakicave dhe të ecin përpara.
“Unë shoh dallime të mëdha në krahasim me kohën e luftës, mjerimit, masakrës masive të civilëve të pafajshëm. Tani mund të shohim perspektivën e anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE, nëse liderët pranojnë shansin që u është dhënë. Ata vetëm duhet të marrim disa vendime të vështira”, theksoi ai.
Rubin shtoi se tani është e qartë për pothuajse të gjithë se Rusia ka shkelur rregullin numër një të sistemit ndërkombëtar kur pushtoi një vend fqinj./abcnews.al