Shembja e ndërtesës në Marsejë, shkon në 4 numri i viktimave

schedule14:49 - 10 Prill, 2023

schedule 14:49 - 10 Prill, 2023

Ka shkuar në katër numri i viktimave nga shembja e ndërtesës në Marseje të Francës. Një tjetër trup i pajetë është nxjerrë nga rrënojat mesditën e sotme, ndërkohë ekipet e shpëtimit vijojnë përpjekjet për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë.

Ministri i Strehimit Olivier Klein gjatë një konference për shtyp në skenën e katastrofës ka thënë se deri më tani 4 persona janë gjetur të pajetë.

Ndërkohë në mëngjes nga rrënojat është nxjerrë një trup i tretë, dhe dy viktimat e para janë nxjerrë gjatë natës.

Deri më tani nuk ka asnjë informacion në lidhje me identitetin e viktimave.

Rreth njëqind shpëtimtarë, me ndihmën e qenve, dronëve dhe detektorëve të nxehtësisë, po punojnë pa pushim në kushte të vështira, me një zjarr që digjet ende nën rrënoja, në përpjekje për të gjetur të bllokuarit.

Si pasojë e kësaj ngjarje rreth 200 persona janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre në pallatet fqinje si masë paraprake. Shoqatat e prindërve dhe banorëve vendas u mobilizuan për të ofruar strehim, veshje dhe mbështetje psikologjike për të prekurit.

Bashkia ka paralajmëruar sigurimin e akomodimit, ndërsa është hapur edhe një qendër pritjeje, ku ofrohet mbështetje psikologjike për familjarët e të zhdukurve./abcnews.al