Imzot Angelo Massafra, presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, ka uruar katolikët për festën e Pashkës. Ai, përmes një mesazhi, ka bërë thirrje që nuk duhet të lejojmë askënd të na rrëmbejë shpresën.
“Nëse jemi besimtarë të vërtetë në Krishtin, ka ardhur koha, dhe është në këtë moment, që të angazhohemi seriozisht për ta ndërtuar të mirën: nuk ka rëndësi se çfarë pengesash na dalin përpara; nuk ka rëndësi se sa njerëz apo situata do të rreshtohen kundër nesh: ky është momenti për të vepruar me gjithë shpresën dhe energjitë që jemi të aftë, por mbi të gjitha me energjitë që na vijnë nga feja në Krishtin Zot”, thotë ndër të tjera Imzot Angelo Massafra.
Mesazhi i plotë:
“Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!” (Lk 24,34).
Këto janë fjalët që nxënësit e mbledhur në dhomën e sipërme mbrëmjen e Pashkës u thanë dy nxënësve të Emausit. Ky është kumtimi i Pashkës, që prej shekujsh përsëritet çdo vit në Kishë dhe që nga Kisha përhapet në mbarë botën. Ky është kumtimi që çdo nxënës duhet të japë vazhdimisht, para së gjithash me jetën e tij dhe pastaj edhe me fjalë.
Por çfarë do të thotë që Zoti është ringjallur me të vërtetë?
Ringjallja e Jezusit në vetvete është një demonstrim i hyjnisë së Tij dhe, në të njëjtën kohë, një garanci se fjalët dhe mësimet e Tij janë të vërteta: Ai është Mesia i pritur prej shekujsh, Ai që Ati e ka dërguar dhe që, me Shpirt Shenjt dhe pushtet, ai erdhi në këtë botë “duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë” (Vap
10,38).
Të besosh se Jezusi është ringjallur do të thotë ta mirëpresësh atë si të vetmin Shpëtimtar, domethënë si Atë që i riktheu dinjitetin e humbur njerëzimit të rënë për shkak të mëkatit fillestar, duke rindërtuar në të përngjasimin e Krijuesit. Prandaj, duke e pranuar Atë si të Ringjallurin, ne e pranojmë se kemi nevojë për shpëtim dhe besojmë se vetëm Ai mund ta realizojë atë.
Me fjalë të tjera, kumtimi i krishterë i Ringjalljes së Krishtit është një kumtim shprese përpara kufirit të mëkatit: Ai e kryqëzoi borxhin e dënimit tonë! Është kumtim i mundësive të reja: si lulet që lulëzojnë përsëri edhe pas ngricave më të rënda! Është kumtim i një jete të re, që e ka harruar të keqen dhe është tërësisht i përqendruar tek e mira. Është kumtim i një energjie të re, që vjen nga të qenit në bashkësi me Të për të marrë prej Tij stimul, mbështetje dhe forcë për përballjen me sfidat e jetës.
E gjithë kjo është Pashkë! Zemra e fesë së të krishterëve, pa të cilën nuk është e mundur ta quajnë veten “të krishterë”.
Duke u nisur pikërisht nga kjo, dua t’u drejtoj një mesazh shprese të gjithë atyre që do t’u arrijnë këto fjalë të mia.
Vështirësitë e jetës nuk e kanë fjalën e fundit dhe as nuk mund t’ia lejojmë vetes t’i dorëzohemi këtij tundimi djallëzor: nëse kemi besim në Krishtin e Ringjallur, i kemi edhe mundësitë që të përballojmë gjithçka me guxim, angazhim dhe bujari. Nuk mund të ketë situata që na pengojnë të jemi njerëz të rinj, të aftë për të guxuar, për të ëndërruar lart siç na kujtoi Papa Françesku nëntë vjet më parë në Tiranë; dhe siç ka këmbëngulur përsëri Papa Françesku – në fenë e Krishtit të Ringjallur, ne nuk mund të lejojmë asgjë dhe askënd të na e rrëmbejë shpresën!
Nëse jemi besimtarë të vërtetë në Krishtin, ka ardhur koha, dhe është në këtë moment, që të angazhohemi seriozisht për ta ndërtuar të mirën: nuk ka rëndësi se çfarë pengesash na dalin përpara; nuk ka rëndësi se sa njerëz apo situata do të rreshtohen kundër nesh: ky është momenti për të vepruar me gjithë shpresën dhe energjitë që jemi të aftë, por mbi të gjitha me energjitë që na vijnë nga feja në Krishtin Zot.
Mendoj për familjet dhe për çdo person të shënuar nga vdekja, nga dhimbja, nga sëmundja, nga vuajtja e çfarëdo lloji, nga vështirësitë ekonomike, nga padrejtësitë, nga hakmarrja. Vëllezër, motra, guxim! “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”. Dhe sot Krishti i Ringjallur na thotë:
“Zemër, he burra! Unë jam! Mos druani!” (Mk 6,50). Ai është i pranishëm në sfondin e të gjitha vuajtjeve njerëzore dhe, si në filigranë, na i tregon edhe neve, si dikur Shën Tomës, plagët në duart, këmbët dhe në brinjën e Tij, për të na kujtuar se, pavarësisht gjithçkaje, ringjallja është e mundur për të gjithë.
Gëzuar Pashkën, vëllezër dhe motra katolikë, ortodoksë dhe të krishterë. Zoti ecën përkrah nesh./abcnews.al