Hetuesit gjermanë kanë gjetur gjurmë eksplozivi në Andromeda, anija në qendër të hetimit për sabotimin e gazsjellësit Nord Stream 2 që ndodhi shtatorin e kaluar, raporton New York Times, duke cituar tre zyrtarë anonimë gjermanë.
Gazeta amerikane shkruan gjithashtu se dy anëtarë të ekuipazhit të anijes, sipas asaj që rezultoi nga hetimet, kishin pasaporta false bullgare.
Andromeda është ankoruar në portin e ishullit danez të Christianso, pasi u largua më 5 shtator nga porti i Rostock në Gjermaninë veriore dhe bëri një ndalesë gjatë natës në Wik, një vend më pak i njohur në Gjermaninë veriore, porti i të cilit nuk ka kamera vëzhgimi.
Një punonjës porti, i cili kërkoi të ruante anonamittin, tha për NYT se e mbante mend shumë mirë situatën, pasi ai vazhdimisht u përpoq të fliste me ekuipazhin fillimisht në gjermanisht, më pas në anglisht por në vend që t’i përgjigjej, një burrë thjesht i pagoi atij me para në dorë shpenzimet për ankorimin dhe u larguan.
Të martën e kaluar, Washington Post, duke cituar disa zyrtarë të njohur me dosjen, shkroi se sipas hetuesve, Andromeda nuk ishte ndoshta anija e vetme e përdorur për sabotimin e gazsjellësit.
/abcnews.al