Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe kompania amerikane General Electric (GE) të premten kanë nënshkruar marrëveshje për modernizimin e turbinave me avull të Termocentralit “Kosova B”.
Marrëveshja u vlerësuar e rëndësishme edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili tha se modernizimi në këtë termocentral ka qenë i domosdoshëm.
Kurti theksoi se nënshkrimi i sotëm shënon një ngjarje vendimtare, për një nga shtyllat kryesore të energjisë së Kosovës, KEK-un.
Ai ka folur edhe për rëndësinë e këtij modernizimi, ku theksoi se kapaciteti i njësive do të rritet nga 13 në 17 megavat.
“Kapaciteti i njësive do të rritet nga 13 në 17 megavat. Pasi të kryhen punimet e rindërtimit në turbinat me presion të lartë dhe të ulët, riparimet e shpeshta kapitale nuk do të jenë më të nevojshme, tani ato do të kërkohen vetëm çdo tetë ose nëntë vjet. Në thelb, këto investime do të rezultojnë në rritje të prodhimit që është i krahasueshëm me ndërtimin e një fabrike të re. Rritja e prodhimit do të përkthehet në një pavarësi më të madhe energjetike, duke reduktuar varësinë tonë nga importet. Duke qenë se pavarësia energjetike është një nga synimet tona kryesore, modernizimi do të përshtatet mirë me përpjekjet tona të përgjithshme në këtë sektor dhe do të jetë në përputhje me strategjinë tonë të parë të bazuar në studime”, theksoi ai.
Kryeshefi ekzuekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka theksuar se me këtë projekt modernizimi, KEK-u prezanton avancimin më të fundit teknologjik.
Ai tha se për shkak të mungesës së investimeve të konsiderueshme dhe mirëmbajtjeve të tjera të shpejta, gjendja e blloqeve aktuale është kritike dhe kërkon vëmendje dhe angazhim të menjëhershëm.
Sipas tij, KEK ka kryer një investim të konsiderueshëm në vlerë prej 47.9 milionë euro për modernizimin e turbinave me avull të njësive të Kosovës B, duke shfrytëzuar avancimin më të fundit teknologjik.
Ndërsa, drejtori i përgjithshëm rajonal i General Electric, Simon Glover në kompaninë General Electric (GE) thekson sa i përket ndërtimit të termocentralit “Kosova B”, janë të kënaqur që mund të ofrojnë shërbimet dhe mirëmbajtjen për ato njësi. Por siç tha ai, tani është koha për të përmirësuar performancën e atyre njësive, për të rritur prodhimin e energjisë së atyre njësive.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se në strategjinë për energji planifikohet të kalohet nga qymyri te burimet e rinovueshme.
Njësitë e termocentralit të Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë filluar të ndërtohen para më shumë se gjashtë dekadash, nga vitet e 60-ta e deri më sot, vetëm ato kanë garantuar qëndrueshmëri në sigurimin e energjisë elektrike në vendin tonë. Këto termocentrale janë shfrytëzuar përtej kufijve të tyre operativ./KosovaPress

