Ura “Morandi”, 1 vit nga tragjedia

schedule13:22 - 14 Gusht, 2019

schedule 13:22 - 14 Gusht, 2019

E gjithë Italia ka përkujtuar të mërkurën viktimat e shembjes së urës “Morandi”. 1 vit nga tragjedia, krerët e shtetit italian kanë deklaruar se vendi po ringrihet edhe më i fortë se më parë. Ndërkohë, nga ceremonia përkujtimore janë dëbuar përfaqësuesit e kompanive që kujdeseshin për mirëmbajtjen e urës para shembjes së saj.

Në Xhenova të Italisë është mbajtur këtë të mërkurë një ceremoni përkujtimore në nder të viktimave të urës Morandi, shembja një vit më parë e të cilës u mori jetën 43 personave.

I pranishëm, presidenti i Italisë Serxho Matarela u prit me duartrokitje dhe u takua përzemërsisht me të gjithë familjarët e të ndjerëve. Më pas, ceremonia nisi me leximin e emrave të tyre.

Në fjalën e tij, kryeministri Xhuzepe Konte deklaroi se shteti nuk i ka harruar njerëzit që humbi nga kjo tragjedi.

“Vendi ynë nuk e harron dhimbjen, por di të përshtatet në mënyrë që të rilindë. Xhenova është simboli i kësaj force të shpirtit tonë”, deklaroi Konte.

Në 11 e 36 minuta, që është dhe momenti i tragjedisë, u mbajt një minutë heshtje që u thye vetëm nga sirenat e anijeve dhe këmbanat e kishave të qytetit që ranë në nder të viktimave.

“Rindërtimi ka filluar dhe ura e re duhet të jetë gati në prill të vitit të ardhshëm”, vijoi kryeministri Konte.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Mateo Salvini, përmes një postimi në Twitter u shpreh:

“Ura e re po ndërtohet. Xhenova vajton, lutet dhe ngrihet sërish”.

Në ceremoninë përkujtimore u paraqitën edhe disa përfaqësues të kompanive “Atlantia” dhe “Autostrada për Italinë”, që kujdeseshin për mirëmbajtjen e urës para se ajo të shembej, por pak momente më vonë, me kërkesë të familjarëve të viktimave ata u larguan.

Vetë delegacioni bëri të ditur se zgjodhi të largohej për të mos krijuar probleme dhe për të treguar respektin për familjarët e të ndjerëve./ABC News Albania 24/7