Personeli ushtarak bjellorus ka filluar trajnimin në Rusi për përdorimin e armëve bërthamore “taktike”, sipas Moskës dhe Minskut, pasi Kremlini njoftoi së fundmi vendosjen e armëve të tilla në Bjellorusi.
“Ushtarët bjellorusë do të ndjekin një cikël të plotë trajnimi në një qendër trajnimi të forcave të armatosura ruse,” njoftoi ministria, pa specifikuar se sa do të zgjasë trajnimi.
Më 25 mars, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se Moska do të vendoste armë bërthamore në Bjellorusi, aleatin e saj në konfliktin në Ukrainë, duke shkaktuar shqetësim në Kiev dhe Perëndim.
Të ashtuquajturat armë bërthamore “taktike” mund të shkaktojnë dëme të mëdha, por rrezja e tyre shkatërruese është më e kufizuar se ajo e armëve bërthamore “strategjike”.
Megjithatë, javën e kaluar, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, tha se ishte gati të mirëpresë armët bërthamore strategjike ruse në tokën e tij, përveç armëve bërthamore “taktike”.
Zyrtarët rusë kanë bërë vazhdimisht kërcënime të fshehta për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë nëse konflikti përshkallëzohet ndjeshëm.
Sipas Putin, dhjetë avionë janë pajisur tashmë në Bjellorusi për përdorimin e armëve të tilla taktike bërthamore dhe një magazinë speciale pritet të përfundojë deri më 1 korrik.
/abcnews.al