Shqipëria ka përmbushur kushtet për çeljen e negociatave por jo për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ky është qëndrimi i ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca në një intervistë për Euronews. Diplomati i ka kërkuar vendeve të Bashkimit Evropian të kenë kujdes me vendimin që do të marrin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pasi në të kundërt do të dëmtonin besimin e 91% të shqiptarëve që kërkojnë integrimin në BE.
“Vendimi në tetor është i rëndësishëm për vendin, por edhe për BE-në, pasi edhe besueshmëria e procesit të zgjerimit është në pikëpyetje. Vendet e interesuara si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut kanë përmbushur mjaftueshmërisht detyrimet kundrejt Komisionit Evropian. Por më duhet të them se kanë bërë progres të mjaftueshëm për hapjen e negociatave, jo për t’u bërë anëtare të BE-së. Siç mund ta dini, Winston Churchill kishte një shprehje, ‘ky është fundi i fillimit’, jo ‘fillimi i fundit’. Dhe pikërisht sepse kanë bërë punën e kërkuar, Bashkimi Evropian duhet të ketë kujdes me vendimin. Është e rëndësishme që populli shqiptar, 91 për qind e tyre që aspirojnë familjen evropiane, të vazhdojë të besojë në perspektivën e BE-së. Unë kam besim se ata do vazhdojnë të besojnë, por Bashkimi Evropian duhet të mos ua presë shpresat që kanë”, tha Soreca.
Ndryshe nga Presidenti Meta që e sheh 15 tetorin si rrugë që duhet të kalojë më parë nga zhvillimi i zgjedhjeve vendore, Soreca kërkon që vendi të mos humbë asnjë ditë kohë për tu angazhuar në rrugën e reformave.
“Shqipëria duhet të fokusohet në axhendën e reformave, të mos humbasë asnjë moment, të jetë gati për 15 tetorin, dhe të ketë gati dokumentacionin që ministrat e BE-së të marrin vendimin. Raporti i majit i Komisionit Europian tregoi se është bërë një progres kuptimplotë në fusha të caktuara, i mjaftueshëm për hapjen e negociatave. Por procesi i reformave nuk ndal asnjëherë. Dhe ka fusha ku institucionet shqiptare në tërësi duhet të vazhdojnë punën. Një shembull është lufta kundër korrupsionit që është një sfidë e përditshme, lufta kundër krimit të organizuar, trafikimi i drogave po ndërron lëkurën në Shqipëri dhe ka nevojë që të ushtrohet trysni te bandat kriminale, pa dalluar mes drogave të lehta dhe atyre të forta”, tha ai.
Kur vjen puna te reformat, diplomati i Bashkimit Europian fokusin e ka te reforma në drejtësi dhe domosdoshmëria për të pasur një reformë të thellë zgjedhore.
“Është e qartë se votimi i fundit në qershor tregon se sa e rëndësishme është që elektoratit shqiptar t’i jepet një ligj më i përparuar për çështjet elektorale, që të mund ta shprehin plotësisht vullnetin e tyre. Në fund është reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi është ndoshta ‘perla e Shqipërisë’, jashtë rajonit, apo në botë. Është një moment kritik, ndaj të gjitha institucionet shqiptare duhet të mos e humbasin fokusin”, deklaroi Soreca.
Kur kanë ngelur edhe 60 ditë nga data kur ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian do të marrin një vendim për çeljen e negociatave për Shqipërinë, vendi ndodhet në një krizë të thellë politike. Opozita është jashtë të gjitha institucioneve dhe bojkotoi zgjedhjet vendore, ndërkohë që mazhoranca ka marrë të gjitha pushtetet dhe shprehet e vendosur për të vijuar./ABC News Albania 24/7