“Zhvatja”, reagon BE: Maqedonia e Veriut të luftojë korrupsionin

schedule17:43 - 11 Gusht, 2019

schedule 17:43 - 11 Gusht, 2019

Brukseli ka reaguar për herë të parë lidhur me rastin “Zhvatja” në Maqedoninë e Veriut. Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn ka kërkuar nga Shkupi zyrtar që të luftojë korrupsionin. Ndërkohë, autori i publikimit të përgjimeve ka sulmuar shefen në ikje të Politikës së Jashtme, Federika Mogerini, për heshtje ndaj rastit.

Tre ditë pas zbulimit të videove për aferën ‘Zhvatja”, eurokomisionari për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn komentoi ndodhitë në vend. Ai dje u thirr nga politikania gjermane, Doric Pack që të ndërmerr diçka lidhur me rastin që ka tronditur Maqedoninë e Veriut e ku pretendohet edhe implikimi i Prokurores Speciale Katica Janeva dhe Kryeministrit Zaev.

Komisioneri Han dha mesazhin se lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë duhet të vazhdojë.

“Lidhur me zbulimet më të reja, me rëndësi është të vërtetohet përgjegjësia juridike për të gjitha veprat penale, duke llogaritur edhe ato që dalin nga përgjimet e jashtëligjshme. Të gjitha veprat penale duhet të shqyrtohen nga organet kompetente, kurse kryerësit të dalin para drejtësisë”, shkruan Hahn në Twitter.

Ndërkohë, gazetari Italian me prejardhje sllovene Laris Gajser, i cili për opinionin në Maqedoninë e Veriut u bë i njohur me publikimin e bisedave të xhiruara në rastin “Zhvatja”, ka publikuar një video-kolumnë në edicionin elektronik të gazetës “La Verita”, ku sulmon Bashkimin Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë në largim të BE-së për Politikë të Jashtme Federika Mogherini.

Gajser në këtë kolumnë shtron pyetjen përse Brukseli po hesht për këtë rast në Maqedoninë e Veriut, duke potencuar se është e çuditshme mungesa e reagimeve nga Mogerini dhe Presidenti aktual i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, të cilët sipas tij, fuqimisht kanë insistuar për Prokurorinë Speciale.

Duke shfaqur bindjen se ende ka mundësi të ketë një demokraci të vërtetë të bazuar në opinion public të informuar dhe kontroll të politikanëve, Gajser pyet se si ka mundësi që Federika Mogherini të hesht para realitetit criminal në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, Mogherini është anëtare e Partisë Demokratike të qendrës së majtë italiane, që është rivale kryesore e partisë së Djathtë Nacionaliste të Zv/Kryeministrit Italian Mateo Salvini, përkrahës i të cilit është vetë gazetari Gajser. Gazetari Laris Gajser është i njohur për qëndrimet e tij të skajshme ekstreme-djathtiste dhe i afërt me personalitete të së djathtës, por edhe me përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, partisë opozitare në Maqedoninë e Veriut.

Madje për këtë të fundit socialdemokratët në pushtet i kanë drejtuar pyetje publike liderit të opozitës Mickoski nëse gjatë vizitës së tij në Hungari, para daljes së kësaj afere, është takuar me Gajserin në Budapest.

Gazetari Laris Gajser në këtë kolumnë ka theksuar se gazeta ‘La Verita” do të bëjë vlerësime nëse juridikisht është e realizueshme publikimi i xhirimeve të reja potenciale./ABC News Albania 24/7