Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në zbulimin e pllakës përkujtimore të dëshmorëve dhe martirëve të rënë në masakrën në fshatin Pastasel të Komunës së Rahovecit, ka thënë se duke u përbashkuar në këtë vend, denoncojmë forcat serbe, pasi që 106 qytetarë të këtij fshati u vranë vetëm se ishin shqiptar.
Kurti para qindra të pranishmëve tha se kjo pllakë përkujtimore është një pikë kujtimi për brezat që do të vinë në mënyrë që kurrë mos të harrohet gjenocidin e Serbisë, krimet kundër njerëzimit e krimet e luftës.
“Ajo çka e bënë këtë masakër të Pastaselit ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë, është se së pari kemi torturim të shqiptarëve e pas torturimit i ndajnë në grupe, ku në grupin e parë i vrasin fëmijët, në mënyrë që edhe prindërit e tyre, edhe gjyshërit e tyre t’i shohin duke vdekur djemtë e nipat e tyre, e më pastaj i pushkatojnë edhe prindërit e gjyshërit. Kjo e bënë shumë të tmerrshme këtë masakër…ata kriminelet nuk janë më këtu, ju jeni dhe do të jeni gjithmonë këtu, e kriminelet duhet të jenë prapa grilave, qoftë në drejtësi ndërkombëtare, qoftë vendore. Krimi i Serbisë as nuk harrohet, as nuk falet”, theksoi Kurti.
Kurti në cermoninë e përkujtimit të masakrës në Pastasel, theksoi se duke kujtuar të rënët, denoncohen kryesit e këtij krimi.
Po ashtu Kurti, tha se thirrja dhe gatishmëria qeveritare për t’i ndjekur kriminelët serbë të luftës duhet të has në interesimin urgjent dhe të shtuar të Prokurorisë së Kosovës.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se UÇK erdhi si një bekim dhe shpresë për popullin e Kosovës. Ai përmendi edhe bashkëluftëtarët e tij, siç tha ai që po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe ftoi të gjithë qytetarët ta dalin në protestë më 2 prill.
Përfaqësuesi i fshatit, Afrim Krasniqi ka kërkuar drejtësi nga institucionet vendor dhe ndërkombëtare për vrasjen e 106 qytetarëve në Pastasel./KosovaPress/