Rooney: Ronaldo mori atë që deshi, por ai mbetet një legjendë te Manchester United

schedule19:57 - 30 Mars, 2023

schedule 19:57 - 30 Mars, 2023

Wayne Rooney ka pranuar se Cristiano Ronaldo mori atë që deshi duke e detyruar Manchester Unitedin ta lejonte largimin e tij, megjithatë ka pohuar se superylli portugez mbetet një legjendë e klubit.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë ndërpreu rikthimin e tij te Djajtë e Kuq në nëntor të vitit të kaluar, pas kritikave drejtuar disa figurave të rëndësishme të Unitedit. Si pasojë, klubi anglez ia ndërpreu kontratën dhe 38-vjeçari e vazhdoi karrierën në Arabinë Saudite te Al Nassr, ku përfiton shuma marramendëse parash.

“Mendoj se e mori atë që deshi. Për Manchester Unitedin ishte shumë e rëndësishme që të dilte sa më shpejt nga ajo situatë dhe fokusohej te grupi i lojtarëve që ishin aty dhe donin të qëndronin aty. Dhe mendoj se kjo është pika, ku (Erik) ten Hag ka bërë punë shumë të mirë në rifokusimin e lojtarëve dhe vendosjen e tyre në një pozitë ku janë, padyshim, të qetë në top katërshe dhe gjithashtu duke fituar Kupën (Carabao)”, ka deklaruar Rooney për CNN.

Ka pasur sugjerime se Ronaldo e ka njollosur imazhin e tij në sytë e tifozëve të Unitedit me veprimet e çuditshme gjatë periudhës së dytë në Angli, por ish-sulmuesi anglez këmbëngul se bashkëlojtari i tij i dikurshëm mbetet një ikonë në Mançester.

Ronaldo shënoi 118 gola në qëndrimin e parë te Man United duke fituar- mes tjerash-tre tituj të Ligës Premier dhe Ligën e Kampionëve. Ndërsa në qëndrimin e dytë, e gjeti rrjetën 27 herë në 54 ndeshje, prej se u kthye në Old Trafford nga Juventusi në vitin 2021.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!