Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka zhvilluar një interpelancë me ministren e financave Delina Ibrahimaj në lidhje me transparencën në përdorimin e fondeve për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Sipas Tabakut afati për përfundimin e procesit të ndërtimit ishte viti 2021 ndërkohë që vijon ende dhe mungon transparenca e fondeve të përdorura.
“Ndërkohë që flasim nuk ka asnjë informacion sa është fondi që është shpenzuar, sikundër na mungojnë të dhënat për kostot e këtij procesi. Sa është fatura e rindërtimit në total, sa është vlera e fondeve të vendosura me vendime të këshillit të ministrave. Në tre vite e gjysmë nuk kemi arritur të kuptojmë realisht sa është kjo vlerë”.
Por sipas ministres Delina Ibrahimiaj procesi nuk përfundoi në afatin e parashikuar për shkak të pandemisë ndërsa theksoi se të gjitha shifrat janë transparente.
“Dalja këtu në foltore duke recituar shifra që nuk dëgjohen, duke thënë të pavërteta. Më pyetët sa është kostoja totale e rindërtimit, ju ktheva përgjigje. Është 117.6 mld lekë, që vijnë nga totali i vendimve të Këshillit të ministrave”
Deputetja Tabaku ngriti një sërë pikpyetjesh edhe në lidhje me koston e ndërtimit.
“U koordinuan vetë nga BE, dhe u zbatuan nga vetë ato me kosto shumë të ulëta. Pse ndodh kjo mospërputhje kostosh”
Ibrahimaj kërkoi shifra dhe fakte konkrete për këto akuza që sipas saj nuk qëndrojnë.
“Një tjetër gënjeshtër e madhe. Unë ju ftoj, që kur hidhni këto sypozime të vini me shifra me projekte konkrete, me sipërfaqe konkrete”
Për përfundimin e procesit të rindërtimit gjatë vitit 2023 ëshët parashikuar një fond prej 5 miliardë lekësh.