Një video tronditëse është kapur nga kamerat e sigurisë të kufirit SHBA- Meksikë, ku shihet një burrë teksa braktis një fëmijë 1-vjeç.
Skenat e regjistruara nga kamerat janë zemërthyese.
Siç raporton CNN, një trafikant nga Meksika që ka fëmijën në krahë ka kaluar lumin Kolorado. Dhe pasi mbërriti në destinacion, e la djalin e vogël vetëm, në asfalt, mes gardheve të larta.
Burri më pas shihet duke vrapuar. Djali i vogël u ngrit në këmbë dhe filloi të ecte vetëm disa metra. Një makinë patrullimi nga pala amerikane ka shkuar menjëherë në vendngjarje për ta shpëtuar.
Djali, i cili është nga Guatemala, tashmë është në duar të sigurta, sipas burimeve. Incidenti mund të kishte përfunduar në një tragjedi, sipas kreut të Gardës Kufitare Amerikane, i cili ka postuar videon në Twitter.
“Falë reagimit të shpejtë të kolegut tonë, tragjedia u shmang! , shkruan ai.
Kreu i rojes kufitare amerikane ka postuar gjithashtu një foto ku shfaqet një oficer amerikan duke mbajtur fëmijën në krahë.
Për fat të keq, kjo praktikë çnjerëzore nuk është rasti i vetëm: në pesë muajt e fundit, rojet kufitare amerikane kanë gjetur më shumë se 58,000 të mitur të pashoqëruar.