Të agjërosh në emër të Zotit është një nga shtyllat themelore të besimit islam, e sidomos gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, kur shpërblimi hyjnor është edhe më i madh për besimtarin. Një besimtar i devotshëm është edhe hoxhë i fshatit Polis ne Librazhd, Hamit Zharri. Është 86 vjeç dhe agjëron prej dekadash. Nuk ka asnjë vështirësi, edhe pse në moshë të thyer.
Hamit Zharri rrëfen agjërimin në kohën e komunizmit, kohë të vështira të diktaturës ku bindjet fetare ndaloheshin. I moshuarit tregon se shumë prej ritualeve fetare bashkë me familjen i bënte në fshehtësi.
“Zoti thotë sa të keni mundësi. Nëse e prish bëje prapë dhe vazhdo agjëro”, tha ai.
Hamiti thotë se ritet fetare i ka trashëguar nga paraardhësit.
“E kam trashëguar nga stërgjyshi. E kemi pas brez pas brezi. Edhe në kohën kur u ndalua feja ai vazhdonte ta praktikonte, i maskuar”, tha ai.
Edhe në mesin e rrëmujës dhe trazirave, Hamiti dhe babai i tij ruajtën ç’të munden. Këto libra janë nder të paktat që i shpëtuan asaj kohe.
“Ne këto libra ka histori të pejgambereve, dijetareve të famshëm. Rregullat e besimit islam”, shtoi ai.
Hoxhë Hamiti është shembull në fshatin e tij, përmes dijes dhe besimit ka arritur të afrojnë në fenë myslimane shumë banorë të zonës.