Shqipëria U-21, Bushi: Fitore me shpirt, kemi grup cilësor

schedule14:28 - 25 Mars, 2023

schedule 14:28 - 25 Mars, 2023

Shqipëria U-21 fitoi miqësoren e parë të marsit me Azerbajxhanin U-21 të enjten e kaluar me rezultatin 2-1 me golat e Stiven Shpendit dhe Adrion Pajazitit. Një paraqitje e mirë për kuqezinjtë përballë një kundërshtari të fortë e ku dolën në pah cilësitë e skuadrës shqiptare, që e menaxhoi mirë ndeshjen përgjatë 90 minutave, duke krijuar volum loje dhe raste për gol.

Për trajnerin e Kombëtares U-21, Alban Bushi, grupi është në formë dhe aktualisht kemi shumë elementë të talentuar të cilët mund të bëjnë shumë mirë në kualifikueset e Europianit U-21, por që mund të jenë edhe në Kombëtaren A në të ardhmen. Sipas teknikut kuqezi, paraqitja e skuadrës në miqësoren e pare me azerët ka qenë pozitive, teksa thekson shpirtin e garës dhe të sakrificës që kanë treguar të gjithë lojtarët. Sakaq, trajneri komenton edhe miqësoren e dytë me Poloninë të programuar më 27 mars po në Antalia të Turqisë, që do t’i vlejë shumë skuadrës kuqezi për të parë se ku jemi në raport me kundërshtarët që do të kemi në Europianin e këtij viti.

Gjendja e grupit – “Grupi është thuajse i plotë. Kemi disa lojtarë me probleme fizike dhe konkretisht Mjaki i cili pësoi një dëmtim gjatë miqësores si edhe Pajaziti, i cili nuk do të stërvitet sot për shkak të një shqetësimi fizik, por që nuk duket serioz. Janë duke i ndjekur që të dy nga stafi mjekësor dhe ne shpresoj që do të rikuperohen për ndeshjen e dytë. Smajli i Vllaznisë gjithashtu kishte një problem në gju dhe nuk u aktivizua, edhe ai po monitorohet nga stafi mjekësor dhe mbetet për t’u vlerësuar. Ndërkaq, nuk do të kemi për ndeshjen e dytë as Elmando Gjinin, të cilit i kemi dhënë leje të kthehet në dispozicion të klubit me kërkesën e tyre. Pjesa tjetër e grupi është pa probleme dhe janë në formë shumë të mirë, të gatshëm për lojë”.

Testi i parë me azerët – “Jam i kënaqur nga përqendrimi, sakrifica dhe shpirti i garës që lojtarët treguan në fushën e lojës ndaj Azerbajxhanit. Pati edhe disa gjëra që ne duhet t’i përmirësojmë siç janë goditjet standarde, ku azerët ishin në superioritet dhe fituan më shumë dyluftime. Gjithsesi ekipi në përgjithësi luajti mirë, kishim më shumë zotërim topi gjatë ndeshjes, nuk i lamë shumë hapësira Azerbajxhanit për të rrezikuar dhe ata patën shumë pak raste për gol. Duhet thënë se Azerbajxhani kishte një skuadër të fortë dhe agresive, i ngjan shumë Armenisë rivalit tonë të parë në kualifikuesit e Europianit dhe kjo miqësore ishte shumë e vlefshme për të kuptuar ku jemi. Mendoj se duhet ta kishim zgjidhur ndeshjen më shpejt, sepse e qarkulluam shumë mirë topin, shkonim deri te zona kundërshtare, por na penalizuan rastet e humbura dhe na mungoi pasimi final në disa raste. Sidoqoftë, lojtarët kanë punuar shumë mirë, kemi një grup të fortë në dispozicion, që ka fokusin e duhur e që sakrifikon të gjitha për të gjitha”.

Miqësorja me Poloninë – “Kam ndjekur miqësoren që zhvilloi Polonia U-21 ndaj Austrisë U-21 këtu në Turqi e që u mbyll në barazim 0-0. Polakët janë fizikisht të fortë dhe janë shtatlartë, por ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë me qarkullim të shumtë të topit. Mendoj se do të bëjmë një ndeshje të mirë dhe theksoj se është një test i mirë për ne, sepse Polonia kishte ekip shumë të fortë. Grupi jonë i vitlindjes 2002-2003 së bashku me lojtarët që janë më të vegjël, besoj se përbëjnë një skuadër shumë të mirë në perspektivë që Shqipëria do t’i ketë për shumë vite. Jam i bindur që do të jenë shumë lojtarë nga ky grup që do të vazhdojnë edhe në Kombëtaren A dhe gjithashtu shpreh bindjen se do të bëjmë shumë mirë në kualifikueset e radhës të Europianit U-21”./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!