Basha kundër aleatëve dhe funksionarëve të PD-së

schedule15:30 - 7 Gusht, 2019

schedule 15:30 - 7 Gusht, 2019

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mendon ndryshe nga aleatët e tij dhe funksionarë të lartë brenda forcës së tij politike të cilët i sugjerojnë dialogun me Edi Ramën. Në një takim me strukturat e Partisë Demokratike në Divjakë, Basha mohoi në mënyrë kategorike uljen me Edi Ramën duke theksuar se nuk mund të ulet me një njeri që vjedh zgjedhjet.

“Lulzim Basha ka refuzuar kërkesat e aleatëve për të bërë një hap pas në kushtin e panegociueshem për tu ulur me Edi Ramën dhe zërave brenda PD se nuk duhet konsideruar tabu dialogu me të si kryetar i PS. Në një takim me strukturat e PD në Divjakë kryedemokrati bëri të qartë se nuk ulet me një njeri që vjedh zgjedhjet”.

Në një kohë që tre aleatë të tij në opozitë janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për procesin e dekretuar nga Presidenti i Republikës në 13 Tetor, Basha zgjidhjen e sheh te vënia në pranga e çdo politikani që ka vjedhur vota.  Ndryshe nga qëndrimi i mbajtur një ditë më parë i nënkryetari i PD, Edmond Spaho se nuk duhet konsideruar tabu ulja në tryezë me Edi Ramën si kryetar i Partisë Socialiste, Lulzim Basha ka bindjen se kriza politike nuk mbyllet me një pazar por vetëm me parime dhe me drejtësi të vërtetë. Dhe parimin e parë të funksionimit të sistemit të drejtësie, kryedemokrati e sheh te vënia në pranga e politikanëve që vodhën zgjedhjet me krimin.

“Vjeshta, opozitën e bashkuar do ta gjej sërish përpara zyrës së Edi Ramës për të kërkuar largimin e tij. Basha ka garantuar se demokratet nuk do te pranojnë dhunën shtetërore dhe uzurpimin e pushtetit nga një pakicë”.

Për kreun e Partisë Demokratike, synimi kryesor pas muajit Gusht do të mbetet largimi i Edi Ramës, krijimi i qeverisë tranzitore dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Lulzim Basha beson se rikthimi i besimit tek opozita me betejën e saj për zgjedhjet e lira e të ndershme është arritja kryesore e PD dhe e aleatëve të saj pas vendimit për djegien e mandateve. Të zhveshur nga çdo pushtet, vjeshta do të jetë një provë e re force për Partinë Demokratike  në funksion të betejës për largimin e Edi Ramës, betejë që më parë do të duhet ta koordinojë me aleatët e saj të cilët kanë filluar të tregojnë pakënaqësi./ABC News Albania 24/7