Kolegji Zgjedhor vendos për fatin e dy PD-ve/ Juristi: Mund të lërë në fuqi vendimin e KAS

schedule18:35 - 23 Mars, 2023

schedule 18:35 - 23 Mars, 2023

Të hënën, Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë kërkesën e Sali Berishës për të çregjistruar grupimin e Enkelejd Alibeajt. Në kërkesën dorëzuar në Kolegj, Berisha kërkon rrëzimin e KQZ-së, që regjistroi Alibeajn. Avokati Redi Ramaj thotë se Kolegji mund të lërë në fuqi vendimin e KAS për regjistrimin e PD zyrtare në zgjedhje. I ftuar në “Special Report” me Arlind Isa, juristi tha:

“Nëse i referohemi çështjes së PD lidhet me dy vendime gjykatësh. Zhukri i ka dhënë njohje grupimit të Berishës, ka njohur kuvendin e Dhjetorit ku Berisha ka legjitimuar strukturat e tij. Në këto kushte, në momentin që Apeli e ka prishur këtë vendim dhe në gjykatën e Tiranës është regjistruar Basha si kryetar kjo çoi në një vendimmarrje të KAS dhe regjistroi Alibeajn që solli kërkesën me kryetarin e partisë të regjistruar në gjykatën e Tiranës. Partia Lëvizja Bashkë ishte regjistruar në gjykatë, kishte bërë një kërkesë më herët, nuk kishte marrë formë të prerë dhe KAS ka vendosur të mos ta pranojë dhe Kolegji me të drejtë, duke qenë se partia e Patozit në 2019 u regjistrua se kishte një vendim gjykate pa një formë të prerë dhe kjo situatë ka bërë që Kolegji të vendosë pro partisë Lëvizja Bashkë. Ndryshe mendoj se do të jetë për grupimin e Berishës, i cili ka ankimuar vendimin e KAS dhe jemi në kushtet e lënies në fuqi të vendimit të KAS.”, tha avokati.

Ndërkohë, i pyetur nga gazetari se çfarë mund të ndodhë me vulën e PD-së nëse Kolegji Zgjedhor rrëzon Alibeajn dhe i jep të drejtë Berishës për t’u regjistruar në zgjedhje, avokati shtoi:

“Kolegji mund të vendosë gjithçka. Mund të pranojë kërkesën e Berishës njësoj siç mund ta rrëzojë atë dhe të vendosë regjistrimin siç ka vendosur KAS. Por në aspektin juridik, duke marrë interpretimin e KAS, grupimi i Alibeajt është i regjistruar në atë moment, që ka sjellë dokument. Vendimi i Apelit që prishi vendimin e Zhukrit bëri nul çdo kërkesë të Berishës për të paraqitur kërkesën për regjistrimin e grupit të tij në zgjedhje. Ia pamundësoi vendimi i Apelit.”, shtoi juristi.

Ai thotë se nëse Kolegji vendos në favor të Berishës, zhbëhet automatikisht vendimi për regjistrimin e grupimit të Alibeajt në zgjedhjet e 14 Majit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!