PD kallëzon penalisht Prefekten e Tiranës

schedule15:30 - 6 Gusht, 2019

schedule 15:30 - 6 Gusht, 2019

Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht Prefekten e Tiranës, Suzana Jahollari duke e akuzuar për marrje të kompetencave të pushtetit lokal duke thirrur mbledhjen për konstituimin e Këshillit Bashkiak të Kamzës. Në një deklaratë nga selia blu, nënkryetari i PD, Edmond Spaho deklaroi se me urdhër të kryeministrit Rama, Prefektja Jahollari ka thirrur një mbledhje për konstituimin e Këshillit të ri bashkiak, kompetencë e cila sipas ligjit i takon sekretarit aktual.

Numri dy i PD theksoi se mbledhja e paligjshme e Këshillit Bashkiak të Kamzës është një rast më shumë që tregon se kryebashkiakët ilegjitimë të 30 Qershorit nuk do t’i shërbejnë interesit publik dhe nuk do të marrin vendime në interes të qytetarëve ndërkohë që kryeministrit Edi Ramës nuk i pritet që të pushtojë Bashkinë e Kamzës.

Sekretari aktual i Bashkisë së Kamzës kishte thirrur mbledhjen e radhës në 14 Gusht, por me një urdhër të Prefektes së Tiranës konstituimi i Këshillit të ri Bashkiak në Kamëz do të bëhet paraditen e të mërkurës. Në zyrën e mbajtur prej tre mandatesh nga Xhelal Mziu, nesër do të hyj ish-deputeti socialist Rakip Suli./ABC News Albania 24/7