Kryeminisrtri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje partive polite në veri që të regjistrohen për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 23 prill.
Në një deklaratë për mediat në Prishtinë, Kurti ftoi komunitetin serb që ta shfrytëzojë këtë mundësi.
“Unë i ftojë të gjithë kandidatët, politikanët, partitë politike që dëshirojnë të përfaqësojnë, të angazhohen në vendin tonë të përbashkët edhe nga komuniteti serb që ta shfrytëzojnë ditën e fundit për kandidim përmes aplikimit. Është dita e sotme, 22 mars 2023 për zgjedhjet e 23 prillit. Pra, është shumë me rëndësi që të gjithë ata që dëshirojnë të angazhohen për politika publike në nivelin komunal në veri dhe të cilët dëshirojnë të përfaqësojnë politikisht interesat e qytetarëve, në këtë rast pakicës serbe t’i shfrytëzojnë këto orë të fundit të mundësisë për të aplikuar”, theksoi Kurti.
Ndër të tjera, Kurti u shpreh se nuk ka bërë thirrje për kthim në institucione, por për aplikim të ri të të gjithë atyre që janë të interesuar jo vetëm në politikë, por edhe në shërbim publik si policia, shëndetësia, arsimi.
Afati i caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës për aplikimin e kandidatëve për zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës, është shtyrë disa herë dhe skadon sot./abcnews.al

