Masakrat në SHBA, Trump dënon sulmet

schedule11:15 - 5 Gusht, 2019

schedule 11:15 - 5 Gusht, 2019

 Në reagimin e radhës lidhur me dy masakrat që ndodhën në fundjavë në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump ka deklaruar se është koha që t’u jepet fund episodeve të tilla. Por kritikët e akuzojnë presidentin se është pjesë e problemit për shkak të retorikës kundër emigrantëve dhe refuzimit për kontrollin e armëve.

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar sërish pas vrasjes së 29 personave në dy masakrat e fundjavës, duke deklaruar se “urrejtja nuk ka vend” në Shtetet e Bashkuara.

I ndodhur përballë akuzave të shumta të ngritura ndaj tij, Trump tha se “ndoshta duhet bërë më shumë” për të parandaluar sulme të tilla. Por kritikët thonë se vetë Trump është pjesë e problemit, duke cituar këtu retorikën e tij kundër emigrantëve dhe refuzimin për kontrollin e armëve. Sulmi në qendrën tregtare Uollmart në El Paso të Teksasit la 20 të vdekur, ndërsa ai në Dejton të Ohajos 9. 21-vjeçari që u arrestua në lidhje me masakrën e parë kishte postuar online një dokument ku thoshte se sulmi ishte një përgjigje ndaj “pushtimit hispanik” të Teksasit.

Ndërkohë, motivet e autorit të sulmit në Dejton, i cili mbeti i vrarë nga reagimi i policisë, mbeten të paqarta. Duke folur përpara gazetarëve, presidenti Trump tha se incidenteve të tilla u duhet dhënë fund. “Kjo është diçka që ndodh prej shumë vitesh në vendin tonë dhe tani duhet ta ndalim”, tha Trump. Ai shtoi se të dyja sulmet kishin në sfond probleme të lidhura me sëmundjet mendore, duke thënë se autorët ishin shumë të sëmurë.

Nga ana tjetër, hetuesit nuk kanë bërë ndonjë koment lidhur me gjendjen shëndetësore të atentatorëve. Prokurorët e Teksasit kanë deklaruar vetëm se episodi i ndodhur në El Paso po trajtohet si një rast i terrorizmit të brendshëm dhe se po shqyrtojnë që kësaj piste t’i shtojnë edhe atë të krimit me bazë urrejtjen./ABC News Albania 24/7