Aktivistet Ina Kollçaku dhe Anisa Ceno janë bashkuar me njëra-tjetrën fal një nisme të veçantë të quajtur “Fillo sot, të shijon më shumë kafja pas pune” në ndihmë të grave dhe vajzave. Kjo nismë e krijuar nga Ina ka startuar në Tiranë, mirëpo fal mbështetjes së Anisës po zhvillohet edhe në Vlorë.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, vajzat kanë treguar se në çfarë konsisiton kjo nismë dhe sa i duhet vajzave të reja në këto ditë të vështira.
“Nisma konsiston në punësimin e 1 mijë grave, e cila ka qene për qytetin e Tiranës, derisa Anisa u bashku me këtë nismë dhe donte ta bënte edhe në Vlorë. Edhe sot gjendemi në Vlorë, dje kemi qenë në Lungo Mare, dje kemi qene te Universiteti. Anisa praktikisht është duke kapur çdo njëri, sot po merremi me studentët”, u shpreh Kollçaku.
“Kjo është një nismë që ne e kemi shumë të nevojshme, pasi kemi mungesa në burimet njerëzore. Kështu që është shumë i nevojshëm punësimi i grave, të rinjve dhe moshave më të avancuara le të themi. Unë mendoj që punësimi përveç pavarësisë ekonomike, është zhvillim personal. Kryesisht në sektorin e turizmit që është nevoja, kërkesa më e madhe për punësim. Janë ambiente ndërkombëtare me njerëz ndërkombëtar që të çojnë në një lloj zhvillimi, që i duhur të rinjve”, tha Ceno./abcnews.al