“Me porosi të Mehmetit, u takova në plazh me një agjent”, deponimet e Llambi Ziçishtit në gjyqin e 1982: Çfarë më tha

schedule07:52 - 18 Mars, 2023

schedule 07:52 - 18 Mars, 2023

Në fundin e gushtit dhe fillimin e shtatorit të vitit 1983, një video misterioze që u shpërnda pak ditë para se të zhvillohej gjyqi i Fiqirete Shehut, e përgatitur me dëshmitë e saj gjatë procesit hetimor nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit, u shpërnda në të gjithë qytetet e Shqipërisë nga Jugu në Veri e cila u dëgjua me qendër zëri nëpër institucionet, ndërmarrjet e qendrat e punës të prodhimit më të rëndësishme në të gjithë të vendin. E veja e ish-kryeministrit të vetëvrarë në rrethana të dyshimta, pohonte me gojën e saj, tërë misterin e ngjarjes së bujshme si dhe “veprimtarinë e saj armiqësore” dhe të familjes Shehu gjithashtu. Të gjithë ata që kishin pasur mundësinë ta njihnin nga afër, habiteshin me dëshminë e Fiqirete Shehut, bashkëshortes së Mehmet Shehut, (ish-anëtare e Komitetit Qendror të Partisë që nga prilli i vitit 1952, ish-drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë “Vladmir Iliç Lenin” në Tiranë), ndërsa pjesa më e madhe e popullit, punëtorë dhe fshatarë kudo ku ishin, e besonin verbërisht, gjithçka thuhej në atë video fantazmë, ku ajo rrëfente me bindje, komplote pas komplotesh, të ideuara nga bashkëshorti i saj dhe të tjerë, me qëllimin e vetëm për të realizuar vrasjen e udhëheqësit kryesor të Partisë, Enver Hoxhën!

Pas dëshmive të saj, udhëheqja e lartë e PPSh-së me në krye Enver Hoxhën, Ramiz Alinë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isain, të cilët ishin ideatorët kryesorë të atij procesi dhe videos që iu server shqiptarëve me dëshmitë e Fiqrtet Shehut, mendonte se do të mbylleshin të gjitha dyshimet për vetëvrasjen e ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Por shpejt, njerëzit do fillonin të flisnin nën zë dhe të vinin në diskutim deklaratat e saj, duke menduar se ajo po përsërite çfarë i diktonin hetuesit dhe njerëzit e Sigurimit. Ndërkohë, lindën hipotezat e para, sipas të cilave, Fiqiretja ishte e detyruar që të bënte gjithçka, me qëllim që të shpëtonte pjesën tjetër të familjes, fëmijët.

 Deponimet e Skënder Shehut

Skënder Shehu: “Goditjen për fejesën me Silva Turdiun, im at Mehmeti, e parandiente se do të ishte e rëndë dhe dërrmuese. Një ditë, më thirri dhe më tha se; që të dalim nga kjo situatë ku jemi futur (është fjala për fejesën time), mua më duhet të rakordoj me Kadri Hazbiun, mendimet dhe veprimet që duhet të bëjmë më tej.

Unë do t’u kërkoj amerikanëve që, të krijojnë një situatë kërcënuese, nëpërmjet incidenteve në ujërat tona me nëndetëset luftarake, të cilat duhet të futen në territorin shqiptar. Me propozimin e Kadriut, që është ministër i Mbrojtjes, unë duhet të marr në dorë drejtimin e veprimeve ushtarake dhe kështu puna e fejesës, del në plan të dytë.

Do të jetë një gjendje e nderë që, do të tërheq vëmendjen dhe për pak kohë, do harrohet fejesa. Prandaj, tha babai, ti Skënder, duhet të nisesh patjetër në Suedi, të takohesh me agjenturën amerikane e, t’u japësh këto kërkesat e mija, të cilat mendoj se, do na nxjerrin nga situata ku ndodhemi”.

Skënder Shehu: Babi më tha, të dërgojmë në Suedi të vendosësh lidhje direkte me amerikanët. Ai më vuri detyrë që, të takoja në Suedi, të dërguarin amerikan, i cili do më thoshte: “Përshëndetje nga xhaxhi Harri” dhe ti, do të kuptosh, më tha babai, se ai person, është i dërguar nga amerikanët dhe do t’i përgjigjesh: “Mirësevjen, nipi e ka ndjerë mungesën e tij dhe e ka marrë malli për të”.

Nga fundi i muajit tetor 1980, ose fillimi i muajit nëntor, të po atij viti, një ditë, duke qenë në dhomën ku studioja, më erdhi një person i panjohur, të cilin e kisha parë atë ditë, nëpër korridoret e godinës. Pasi hyri në dhomën time, më pyeti: “Ti je Arjan Bogova?” (emri që unë mbaja vazhdimisht në Suedi). “Unë jam ,iu përgjigja”. Ai më tha: “Ke përshëndetje nga xhaxha Harri”. Unë iu përgjigja: “Mirësevjen, nipi e ka ndjerë mungesën e tij dhe e ka marrë shumë malli. Kur kam këmbyer këto parulla, agjenti, është prezantuar me emrin Robert Rajs.

Deponimet e Nesti Nases, ish-ministër i Punëve të Jashtme

Nesti Nase: Unë kam mbajtur lidhjet e Mehmetit me agjenturën amerikane. Kur shkova në OKB, Mehmet Shehu, më ka dhënë mesazhe për miqtë e tij amerikanë, të cilët ua kam dorëzuar përfaqësuesve të agjenturës amerikane, Jakobson e Anderson dhe kam marrë prej tyre, mesazhe të tjera. Mehmeti, nëpërmjet këtyre mesazheve, kërkonte udhëzime e përkrahje. Mbaj mend që, kur Andersonit i dhashë letrën e Mehmetit, ai, pa e lexuar atë, më dha një pliko, për Mehmetin. Aty unë e kuptova se, ata merreshin vesh edhe në mënyra të tjera.

Deponimet e Skënder Shehut

Skënder Shehu: Edhe fejesën para se të nisesha me studime pasuniversitare në Suedi, në korrik të vitit ‘79, babai më tha se, atë ia kërkonte agjentura amerikane. Amerikanët, kërkojnë nga unë që, të kryej veprime edhe në drejtim të zbutjes së luftës së klasave, për të fejuar ty me një vajzë me përbërje të keqe. Amerikanët, më thonë se, duhet ta bësh ti një gjë të tillë, që populli të kuptojë se, duhet ndjekur kjo vijë dhe kështu, duhet të vazhdojnë edhe të tjerët në të ardhmen. Ai më tha se, për këtë gjë, kishte caktuar Feçor Shehun që, të gjente një vajzë me përbërje të keqe biografike, ndërsa nga anët e tjera, të ishte shumë e mirë. Ai më rekomandoi Silvën, që atëherë, ishte nxënëse në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe luante volejboll te skuadra “Dinamo”.

Deponimet e Fiqret Shehut

Fiqirete Shehu: Mehmeti, kishte një radio që merrej vesh me zbulimin perëndimor. E vërteta është se, në vitin 1972, kur ai shkoi për vizitë mjekësore në Paris, u takua me një person të agjenturës amerikane, në klinikën ku operohej dhe mori prej tij një radio marrëse-dhënëse, me foni, me anën e së cilës, Mehmeti komunikonte herë pas here me agjenturat e huaja.

Deponimet e Nesti Nases, ish-ministër i Punëve të Jashtme

Nesti Nase: “Sovjetikët e dinin që Mehmet Shehu, ishte agjent i hershëm. Kur kam qenë në Moskë, në bisedat me Popiellovin, Kozllovin, Poljanskin, Andropovin e të tjerë, kam mësuar se ata, dinin dhe kishin të dhëna që tregonin se, Mehmet Shehu ishte vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, se dinin hollësira për të kaluarën e tij, në kohën e luftës në Spanjë, për kohën që kishte kaluar në kampet e përqendrimit në Francë dhe kohën që kishte qenë për studime ushtarake në Itali.

Ata (rusët) kishin studiuar edhe karakterin e tij ambicioz dhe egoist, dinin dhe synimet dhe qëllimet e Mehmet Shehut kundër Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë. Shkurt, ata dinin çdo gjë, rreth aktivitetit të Mehmetit, bile e dinin dhe mënyrën e fshehtë që kishte ndjekur në shpinë të partisë. Ata i dinin të gjitha këto dhe pa hezituar, më shprehën faktin që, Mehmeti ishte dhe agjent i tyre dhe mbante lidhje të rregullta dhe të fshehta me ta. U çudita me pohimet e tyre, por ndërkohë duhet të heshtja.

Vendimi i gjykatës për Fiqrete Shehun

Në vitin 1968, Partia dhe shteti ynë dënuan pushtimin ushtarak të Çekosllovakisë dhe denoncuan ‘Traktatin e Varshavës’, si një instrument në duart e Bashkimit Sovjetik, kundër lirisë dhe pavarësisë së popujve. Në këtë situatë, Mehmet Shehu, këmbente mesazhe me amerikanët. Në vitin ‘70 dhe ‘73, kur i pandehuri Nesti Nase, ka shkuar në OKB, Mehmet Shehu, i ka dhënë mesazhe për miqtë e tij amerikanë, të cilët i pandehuri, ua ka dorëzuar përfaqësuesve të agjenturës amerikane, Jakobson e Anderson dhe ka marrë prej tyre, mesazhe të tjera.

Ai nëpërmjet mesazheve, kërkonte udhëzime e përkrahje. “Andersonit i dhashë letër, kurse ky, pa e lexuar atë, më dha një pliko për atë. Unë kuptova se ata merreshin vesh edhe në mënyra të tjera”. E vërteta është se, në vitin 1972, Mehmet Shehu, shkon për vizitë mjekësore në Paris me Fiqreten, Llambi Ziçishtin, Llambi Peçinin e Gani Kodrën. Në ambientet e spitalit, ai takoi agjentët amerikanë dhe mori prej tyre një radio të vogël, që e sollën në Shqipëri dhe lidhej herë pas here me agjenturat e huaja. Pasi u zbuluan grupet armiqësore dhe u goditën, Mehmet Shehu dhe pjesëtarët e tjerë, përdorën taktikën e tyre të preferuar, mbuluan gjurmët, goditën të demaskuarit dhe në fshehtësi rigrupuan forca, për të vazhduar veprimtarinë armiqësore.

Duke e pasur mirë me të dyja superfuqitë, Mehmet Shehu, ka manovruar midis tyre, për t’i qetësuar dhe për të siguruar gjithnjë përkrahjen e tyre. Lidhur sa më lart, i pandehuri Nesti Nase, pohoi se ai, porosiste që atyre t’u jepte idenë se politika jonë, ishte për t’u afruar me ta. Kur ai ishte në OKB në vitin 1977, mori me vete dy letra nga Mehmet Shehu: Njërën për Andersonin dhe tjetrën për ambasadorin sovjetik, me të cilat kërkonte garanci prej tyre. Në vitin 1978, ngarkoi të pandehurin Llambi Ziçishti, që të realizonte në Paris, takim me një agjent amerikan, takim që është realizuar vërtet, sipas Llambit. Qëllimi i takimit, ishte të merrte udhëzimet, se si të vepronte pas goditjes së grupeve në ushtri dhe në ekonomi, sipas Fiqretes të deponuar.

Për sa më lart, Mehmeti ka aktivizuar edhe djalin. Ky i fundit ka realizuar një sërë takimesh në Suedi, i ka dorëzuar të dhëna sekrete, ka raportuar dhe ka marrë detyra për Mehmet Shehun.
Në vitin 1980, amerikanët donin që të vinte patjetër në Shqipëri, një përfaqësues i tyre. Mehmet Shehu, ngarkoi vartësit për të plotësuar këtë kërkesë dhe agjenti erdhi në fakt, si turist. Për takimin me këtë agjent, i pandehuri Llambi Ziçishti, shpjegon:

“… Më thirri Mehmeti dhe më porositi të takohesha me agjentin (të quajtur Pjer) në plazhin e Durrësit. Një mëngjes duke shëtitur, jam takuar me këtë person, i cili më tha: Kam diçka për zotin Shehu. Unë menjëherë shkova në vilën ku banonte Mehmeti, u takova me Fiqreten dhe i thashë se; ka ardhur zbuluesi i huaj. Ajo më shpuri tek Mehmeti dhe i dhashë plikon. Edhe Mehmeti, më dha një zarf, i’a dhashë atij, në takimin që bëra po atë natë…”!

Gjatë vitit 1981, kur gjendja në Kosovë qe bërë e rëndë për revizionistët jugosllavë, të tërheq vëmendjen fejesa e djalit të Mehmetit, me një vajzë nga një familje e deklasuar. Qëllimin e vërtetë politiko-ideologjik të kësaj fejese, e sqarojnë në mënyrë të plotë të pandehurit Fiqrete dhe Skënder Shehu. Ajo gjatë deponimit, tha se, Mehmetin e kishin porositur të forconte pozitat në Komitetin Qendror dhe të spostonte Sekretarin e Parë dhe të merrte në dorë Partinë, në mënyrë paqësore. Ajo deklaroi se; nga takimet që bëra në Suedi, me përfaqësues të CIA-s, amerikanët u pajtuan me variantin jugosllav, por, krahas kësaj, ata e porositën Mehmetin që, të shpallte fejesën e djalit.

Për këtë fejesë, Skënder Shehu në hetuesi, ashtu dhe në gjyq pohoi: “… Babai im, Mehmeti, më ka thënë se, amerikanët i kërkonin zbutjen e luftës së klasave, duke u fejuar me një vajzë me përbërje të keqe. Amerikanët e kërkonin këtë, me qëllim që masa të kuptojë se duhet ndjekur një vijë tjetër dhe jo ajo e partisë…! Për këtë detyrë, ai më ka thënë se kam ngarkuar Feçor Shehun, të më gjente një vajzë me përbërje biografike jo të mirë, kurse nga anët e tjera të ishte shumë e mirë…! Feçori këtë detyrë, e kreu, duke rekomanduar Silva Turdiun”.

Pra, si agjentë të fshehtë të zbulimeve të huaja, të pandehurit Fiqrete Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e Skënder Shehu, së bashku me bashkëpunëtorë dhe nën drejtimin e Mehmetit, kanë organizuar lidhje brenda dhe jashtë vendit. Ata u kanë dorëzuar atyre informata politike, ushtarake, ekonomike dhe të dhëna të tjera me përmbajtje, sekret shtetëror. Këto lidhje, e kanë zanafillën qysh gjatë Luftës dhe deri në kohën pas çlirimit dhe ndërpriten në kohën e zbulimit dhe goditjes përfundimtare.

Nga sa më lart, del se të pandehurit, kanë tradhtuar atdheun. Në këtë përfundim, është arritur duke u mbështetur në deponimet e tyre, dokumentacionin, materialet që u shqyrtuan në seancat gjyqësore në shpjegimet e dhëna nga të dënuarit Koçi Xoxe, Llazar Papapostoli e Bashkim Shehu, si dhe thëniet e Ymer Berberit, Dhora Lekës, Vajin Grabovës, Galip Sojlit, Irena Papës, e Isuf Keçit që, dëgjuan si dëshmitarë.

Nga gjykimi i çështjes, rezulton plotësisht e provuar se; të pandehurit Fiqirete Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, Skënder Shehu, janë pjesëtarë aktivë të organizatës kundërrevolucionare të krijuar nga armiku Mehmet Shehu, e cila, ka kryer veprime të shumta, duke synuar të godasë PPSH-në dhe udhëheqësin e saj, si dhe të përmbysë diktaturën e proletariatit e, të vendosë në Shqipëri, rendin borgjezo-revizionist.

Lidhur me karakteristikat e veçanta të kësaj organizate kundërrevolucionare, gjykata konkludon sa, vijon:

Në radhë të pare, u provua katërçipërisht se pjesëmarrësit në këtë organizatë, janë agjentë të zbulimeve të huaja, të hershëm apo të rinj, të vënë në shërbim të huajve, direkt ose me ndërmjetësim.

Udhëheqësi kryesor, është poli-agjenti Mehmet Shehu. Veprimtaria e gjerë kriminale ka karakter të theksuar kompleks, ajo përfshin gërshetimin e veprimtarisë së spiunazhit, me atë terrorist, sabotimit e propagandës helmuese. Megjithëse ky poli-agjent i dha fund veprimtarisë tradhtare, me aktin e vetëvrasjes, ai mbetet figura kryesore e këtij procesi. Mehmet Shehut, me këtë proces gjyqësor, populli i vë damkën e turpit, kësaj pjelle bastarde, ogurzezë, këtij tradhtari e jude klasike…! Kjo organizatë, është diktuar nga zbulimet e huaja, nga ai amerikan, jugosllav e sovjetik..

Në radhë të fundit, ekzistenca e kësaj organizate, përbën një pjesë të rëndësishme të komplotit të madh të kurdisur nga imperializmi e social-imperializmi dhe në përgjithësi nga reaksioni botëror, gjatë gjithë këtyre 40 viteve të fundit, kundër shtetit dhe popullit shqiptar, e cila fillon me kurthet e Dushan Mugoshës, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe që u manifestua kohët e fundit, me bandën terroriste të Xhevdet Mustafës, të dërguar nga titistët.

Qysh në vitin 1942, Mehmet Shehu ka marrë një program tipik social-demokrat, në të cilin ndër të tjera thotë se, qeveria që do të krijohet pas Luftës “do t’i lejojë popullit, të gëzojë të gjitha liritë demokratike, lirinë e fjalës, lirinë e partive me karakter demokratik, lirinë e grevave etj”. Pasi mëson nga Dushan Mugosha, pozicionin armiqësor të Fiqerete Sanxhaktarit, Mehmeti, vihet në bashkëpunim, bile martohet me të dhe qysh atëherë, këta dy armiq të egër e dinakë ,nisin luftën e tyre për përmbysjen e pushtetit popullor…!

Pikërisht, për të arritur këtë synim, armiku Mehmet Shehu, ka futur dorën e tij armiqësore kudo: Në fraksionin antiparti të Sadik Premtes në Vlorë, në prapaskenën e Beratit, në luftën për të vazhduar vijën trockiste e tradhtare të Koçi Xoxes pa Koçin, në ndeshjet e para me revizionistët sovjetikë, në vitet 1957-1960, në organizimin e puçistëve në ushtri, në sabotimet në ekonomi, në art, në kulturë e gjetkë.

Mehemti e Fiqretja, kanë punuar vazhdimisht në prapaskenë, për të shtuar radhët e organizatës me elementë të tjerë kundërrevolucionarë…! Në vitin 1966, Mehmet Shehu i propozoi hapur Nesti Nases për, t’u bërë pjesëtar i kësaj organizate tradhtare. Lidhur me këtë moment, i pandehuri Nase, shpjegon: “Në Pekin, Mehmet Shehu më tha, tani që ti Nesti u bëre ministër, ne të dy do të punojmë bashkë, deri në fund…! Unë e kuptova fare mirë se, ky po e vazhdonte veprimtarinë armiqësore kundër partisë dhe donte të më vinte në shërbim të tij, gjë që në fakt e arriti”.

Po kështu, ka vepruar edhe e pandehura Fiqrete Shehu me Llambi Ziçishtin, qysh në vitet ‘55-‘56. Vetë ky i fundit pohoi: Në vitet ‘69-’70-të kur u bëra ministër i Shëndetësisë, u bëra pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare të Mehmet Shehut dhe jam ngarkuar me detyra kriminale terroriste, nga e pandehura Fiqirete Shehu”.

Mehmet e Fiqirete Shehu, arritën deri atje sa të futin edhe fëmijët e tyre në radhët e organizatës, siç ishte rasti i Skënder Shehut, duke e kthyer familjen në një çerdhe spiunësh e gjarpërinjsh. Të pandehurit Fiqirete Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e Skënder shehu, për arritjen e qëllimeve armiqësore, kanë qenë të ngarkuar me detyra konkrete dhe kanë punuar aktivisht, për zbatimin e këtyre detyrave./Memorie.al