Qeveria e Britanisë po përgatitet të ndalojë punonjësit e qeverisë që të shkarkojnë aplikacionin TikTok në celularët e tyre për arsye sigurie.
Aplikacioni, i cili është veçanërisht i popullarizuar në mesin e të rinjve, akuzohet nga kritikët e tij se ka lejuar autoritetet kineze të kenë akses në të dhënat e përdoruesve nga e gjithë bota. TikTok e mohon këtë.
Kur u pyet për këtë gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA, kryeministri britanik Rishi Sunak tha se qeveria e tij “e merr shumë seriozisht sigurinë e pajisjes. Ne po shikojmë gjithashtu se çfarë po bëjnë aleatët tanë”.
Sunday Times raportoi gjatë fundjavës se ekspertët e sigurisë kibernetike kishin rekomanduar që qeveria të ndalonte aplikacionin.
Shtëpia e Bardhë i ka vendosur një ultimatum aplikacionit: nëse TikTok mbetet në pronësi të ByteDance të Kinës, ai do të ndalohet në SHBA.
Është zhvillimi më dramatik në një seri lëvizjesh të fundit nga zyrtarët dhe ligjvënësit amerikanë, të cilët janë të shqetësuar se TikTok do t’i japë qeverisë kineze informacione rreth përdoruesve amerikanë të aplikacionit. Aplikacioni ka më shumë se 100 milionë përdorues në SHBA.
Është gjithashtu hera e parë që TikTok kërcënohet me ndalim në SHBA gjatë presidencës së Joe Biden. Ish-presidenti Donald Trump ishte përpjekur gjithashtu të ndalonte aplikacionin në vitin 2020, por masa e tij u bllokua nga gjykatat amerikane.
Shtëpia e Bardhë tashmë i ka ndaluar punonjësit federalë që të kenë aplikacionin në celularët e tyre. Hapa të ngjashëm janë ndërmarrë nga Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kanadasë për punonjësit e tyre./abcnews.al