“E hoqëm, por po investigojmë”, Eu Reporter sqaron për ABC News arsyet për heqjen e artikullit

schedule11:56 - 16 Mars, 2023

schedule 11:56 - 16 Mars, 2023

“Është bërë një ankesë për përmbajtjen.” Kështu e argumenton  “Eu-reporter” heqjen e lajmit që përshkruante ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Në një përgjigje për “ABC News” , media evropiane sqaroi se do të vazhdojë hetimet për të konstatuar nëse ankesa ishte e drejtë ose jo.

Megjithatë, në artikullin që ajo më pas hoqi, “Eu Reporter” publikoi dhe dokumenta për të faktuar akuzat.

“Ishte një raportim informacionesh të marra nga një burim që normalisht ka reputacionin e tij. Është bërë një ankesë për pëmbajtjen e këtij raportimi. Duke zbatuar politikën tonë normale për situata të tilla, artikulli në fjalë është hequr nga faqja jonë zyrtare në internet por dhe nga rrjetet sociale, në një kohë që hetimet vazhdojnë për të konfirmuar vërtetësinë e fakteve. Nëse kjo ankesë do të rrëzohet dhe informacionet do të rezultojnë të sakta, ne kemi të drejtë të ribotojmë artikullin.”

Në artikull thuhej se pas një vlerësimi të deklasifikuar të inteligjencës amerikane në vitin 2022 ku u zbulua se Rusia ka financuar me 500 mijë dollarë Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017, skandali vijon të thellohet.

Media evropiane, para se të hiqte artikullin nga faqja asaj zyrtare, kishte publikuar dokumenta zyrtare që tregonin se  deputetja e Partisë së Lirisë me cilësinë e ish-kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi kishte marrë pagesa të ndryshme përgjatë vitit 2017 nga kompani të cilat kontrollohen nga biznesmen rus që operojnë në biznesin e naftës.

Konkretisht më 15 shkurt të vitit 2017 Monika Kryemadhi  raportohet se kishte  marrë 5,350 euro nëpërmjet një transfertë bankare nga kompania Holdem Holding Limited.

Në shkrimin e  “Eu Reporter” po ashtu thuhej se nga po i njëjti dërgues dhe nga po e njëjta bankë Monika Kryemadhi kishte marrë më 23 maj të vitit 2017 një dërgesë tjetër parash në llogarinë e saj prej 13,500 eurosh.

Kompania offshore Holdem Holdings, është një kompani e cila kontrollohet nga oligarkët rus të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan. Të dy këta individë janë sanksionuar nga Perendimi për shkak të lidhjeve të ngushta me Kremlinin.

Po ashtu, Eu Reporter raportoi se më 18 korrik të vitit 2017, ishte vetë Kryemadhi që kishte bërë një dërgesë bankare me vlerën e 9,687 dollarëve ku përfitues është kompania Vradus Holdings.

Kjo kompani kontrollohet nga tregtari rus i naftës Vitaly Savin. Më herët revista Forbes ka zbuluar se Vradus Holdings ka qënë një nga donatorët më të mëdhenj të presidentit aktual Vladimir Putin.

Eu  report është nje media e cila operon në Bruksel që prej vitit 2000 dhe ndjek zhvillimet në Bashkimin Europian si dhe në vendet që aspirojnë për t’i integruar në të./abcnews.al