Qytetarët shqiptarë por edhe bizneset kanë vijuar që të jenë korrekt në pagesat e kredive.Tregues për këtë fenomen është niveli i kredive të këqia i cili vijon të jetë i qëndrueshëm. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në janar të vitit 2023 niveli i kredive të këqia në vend arriti në 5.1% nga 5% që ishte në fund të viti të kaluar.
Për të stabilizuar inflacionin Banka e Shqipërisë ka rritur disa herë normën bazë të interesit duke e çuar atë në 2.75% .Kjo politikë jep ndikim direkt në shtrenjtimin e kësteve të kredive nga qytetarët.Por fatmirësisht kjo nuk ka ndikuar në përkeqësimin e bilanceve të kredive.
Përgjatë vitit të kaluar, norma e kredive të këqia është dominuar nga ritme rënëse, përveç muajve prill, maj dhe nëntor ku pati rritje të vogla. Qëndrueshmëria e nivelit të kredive të këqia është një tregues pozitiv për ekonominë si në aspektin e sistemit bankar por edhe për qytetarët.
Edhe përgjatë gjithë vitit të kaluar niveli i kredive të këqia ka qenë i qëndrueshëm pavarësisht ndryshimit të normave të interesit dhe është luhatur midis 5 dhe 5,24 %.
4 muajt e fundit inflacioni ka treguar shenja ngadalësimi duke bërë që edhe Banka e Shqipërisë të ndalojë vendimarrjen për rritjen e normës bazë të interesit gjatë muajve të fundit.
Megjithatë Banka qendrore ka paralajmëruar se gjatë këtij viti do të ketë të tjera rritje të normës bazë të interesit duke ndikuar në pagesat e kredive. Në projeksionet e veta, Banka e Shqipërisë pret që raporti i kredive me probleme për vitin 2023 mund të rritet me 2 deri në 3 pikë përqindje.