Pedofilizmi dhe incest janë dy fenomene që po dëgjohen shumë në vendin tonë. Sipas psikologut social, Edmond Dragoti, këto janë dy krime që nuk dënohen vetëm moralisht, por edhe juridikisht. Shkaqet sipas tij janë kultura e prapambetur, por jo vetëm.
Heshtja e fëmijëve të pambrojtur, duhet të na ndërgjegjësojë. Ata fëmijë që të heshtur jetojnë me abuzimin e prindërve, ata që të frikësuar mbulojnë abuzimin nga një pedofil, kanë nevojë që dikush t’i shpëtojë, mision i cili shpesh duket i pamundur. Por, çfarë i bën abuzuesit të jenë të tillë? Psikologu Edmond Dragoti, tregon për ABC Neës shkaqet.
“Një shoqëri e pazhvilluar mirë dhe nga ana tjetër një agresivitet i tepruar në shoqëri, prania e konflikteve të vazhdueshme. Natyra ose sjellja autoritariste e kulturës sonë favorizojnë dukuri të kësaj natyre”, tha ai.
Pedofilia është një veprim i planifikuar thotë Dragoti, duke shtuar se është e vështirë që një pedofil të identifikohet, apo edhe te rehabilitohet.
“Pedofilia është një abuzim seksual i planifikuar i të rriturve ndaj fëmijëve. Është si me thënë një paaftësi e tyre për të komunikuar dhe për të pasur raporte seksuale me të rriturit dhe kjo lloj paaftësie i kthen mbrapsht në periudhën e fëmijërisë dhe ata fillojnë dhe orientojnë veten drejt fëmijëve dhe ta ndiejnë veten, pjesë të tyre. Si të tillë ata e kanë shumë të vështirë të rehabilitohet”, tha Dragoti.
Incesti nga ana tjetër, ndodh në familje ku autori i këtyre akteve ka kulturë të prapambetur, ose është një njeri agresiv e autoritar. Këta lloj personazh, thotë psikologu, mendojnë se gjithçka u përket atyre, përtej të gjithë kufijve njerëzore e morale.
“Janë narcisistë në sjelljet e tyre. Të dhunshëm, agresorë, autoritaristë në marrëdhëniet në familje dhe si të tillë ata mendojnë se çdo gjë iu përket atyre edhe një marrëdhënie seksuale me fëmijën e tyre. Kanë edhe një mënyrë për të kontrolluar pjesëtarët e familjes në këtë formë”, tha psikologu.
Në këndvështrimin e psiokologut Edmond Dragoti, rastet e denoncuara janë shtuar, për shkak se njerëzit janë më të ndërgjegjësuar. Për parandalimin e këtij fenomeni, psikologu jep këto këshilla.
“Sidoqoftë vetëdija shoqërore e familjes është e nevojshme që të shtohet ose të rritet me një informacion, ndonjë njohje më të madhe të vetë fenomenit të dukurisë së pedofilisë dhe incestit nga njëra anë dhe nga ana e tjetër komunikimet dhe kontaktet sociale ku të transmetohen fenomenet e kësaj natyre, rreziqet pasojat të cilat sjellin ato i ndërgjegjëson njerëzit më tepër. Së treti është shumë e nevojshme të jemi hapur në marrëdhëniet tona, të raportojmë pa frikë ndaj të tjerë për rreziqet që i kanosen në qoftë se njohin një pedofil ose njohin raste incesti të caktuara”, tha Dragoti./ABC News Albania 24/7