Reali në krizë të thellë

schedule14:30 - 31 Korrik, 2019

schedule 14:30 - 31 Korrik, 2019

Kriza e Realit u thellua edhe më shumë pas humbjes ndaj Tottenham-it. Trajneri Zidane u shpreh optimist, por mediat patën kritika të ashpra për skuadrën madrilene.

U desh një dhuratë për të vendosur ndeshjen, por ky nuk ishte ngushëllim. Nuk ka rastësi në humbjet e Realit, me madrilenët që pësuan disfatën e radhës ndaj Tottenhem-it në Kupën AUDI.

Eliminim në gjysmëfinale pas rezultatit 0-1, dhe dëshpërim i thellë i tifozëve për lojën e ish-kampionëve të trefishtë radhazi të Europës. Harry Kane shënoi golin e vetëm të sfidës në “Allianz Arena”, por anglezët mund të kishin realizuar shumë më tepër nëse në ndihmë të Realit të mos kishte ardhur Kejlor Navas.

I quajtur portier rezervë, ai u bë shpëtimtar, ndërsa rivali i tij për portën, Thibaut Curtois, është i dëmtuar. Kjo ndaj Tottenham-it, erdhi pas dështimeve ndaj Bajernit e sidomos kundër Atletikos, dhe pas një barazimi të vështirë me Arsenalin, në periudhën përgatitore të verës.

Gjithsesi, trajneri Zidane doli kundër rrymës me fjalët pas ndeshjes.

“Tifozët nuk duhet të jenë të shqetësuar, – ishin fjalët ngushëlluese të francezit, – unë jam gjithnjë pozitiv. E di se gjendja është e vështirë, pasi mbyllëm keq kampionatin e kaluar, dhe nisëm keq përgatitjet këtë sezon, por unë kam në dorë një skuadër të madhe. Kemi nevojë thjesht të fitojmë një ndeshje, na mungon vetëm kjo. Ndaj Tottenham-it ishim më mirë se në ndeshjet e tjera, edhe pse humbja nuk I pëlqen askujt”.

Gjithsesi, nuk është ky mendimi i mediave të Madridit. Gazeta “AS” titullon “Kejlor dhe asgjë më shumë”, duke theksuar se ishte portieri që shpëtoi ekipin nga një humbje më e thellë.

“Madridi vazhdon pa futboll, dhe pa gola, Marcelo i dhuroi fitoren Tottenham-it”, – ishte komenti i mëtejshëm i “AS”-it. Gazeta “Marka” shkruan: “Alarm i kuq tek Reali i Madridit, klubi i bardhë po kalon një nga krizat më të këqija të rezultateve që mbahet mend”.

Zidane nuk deshi të komentonte për të ardhmen e Gareth Bale-t apo të James Rodrigezit, duke theksuar se do të mendonte për lojtarët që kishte në dispozicion. Pritet që Zidane ta izolojë Bale-n, edhe nëse ky mbetet në Madrid, ndërsa e ardhmja e kolumbianit mbetet e paqartë./ABC News Albania 24/7