Presidenca deklaratë për “Tërmetin Apokaliptik”

schedule14:00 - 30 Korrik, 2019

schedule 14:00 - 30 Korrik, 2019

Një ditë pas letrës së Presidentit Ilir Meta, për informacion drejtuar kryeministrit të vendit dhe institucioneve, lidhur me një paralajmërim të dhënë nga sizmiologu grek për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë rajonin me pasoja shkatërruese, reagoi me një deklaratë për mediat këshilltari i Presidentit për Sigurinë, Bahri Shaqiri.

Ai theksoi se letra e presidentit erdhi pas shqetësimit të ngritur e pasqyruar nga një sërë mediash fqinje, lidhur me parashikimin e bërë për tërmet nga Akis Tselentis.

Duke pasur parasysh që kushtetuta në nenin 92, sanksionon se presidenti kërkon mendim për çështje që kanë të bëjnë me shqetësime të tilla, ka ndjekur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimi, për planin e masave. Greqia nuk është fqinje me Zelandën e Re por me Shqipërinë”, tha Shaqiri.

Sipas tij, “Presidenti ka kërkuar informacion dhe ka inkurajuar institucionet që të trajtojnë me seriozitet shqetësimin e ngritur nga institucionet greke”.

 

Deklarata e plotë:

“Nisur nga Aktiviteti i shtuar sizmik regjistruar në Qarkun e Korçës dhe pasojat në dëm të qytetarëve;

Aktiviteti i shtuar sizmik në vendet fqinje Greqi dhe Itali;

Deklarimi publik i Drejtorit të Institutit Gjeodinamik të Greqisë, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare, me zë dhe figurë;

Mungesa e përgjegjshmërisë së treguar nga institucionet përgjegjëse shtetërore për të trajtuar me seriozitetin e duhur këtë deklarim;

Fakti që fatkeqësitë natyrore përcaktohen si rrezik i nivelit të parë në strategjinë e Sigurisë Kombëtare;

Rekomandimet e dakordësuara në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, datë 16.05.2018 mbi: “Strategjitë sektoriale, paketën ligjore, strukturat, kapacitetet, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore, rajonale dhe organizatave ndërkombëtare në përballjen me emergjencat civile, si: përmbytjet, zjarret, tërmetet, rrëshqitjet, aksidentet teknologjike etj”

Presidenti i Republikës i është drejtuar dje me një “Kërkesë për informacion” kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Braçe, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, mbi kapacitetet dhe masat e parashikuara nga autoritetet qendrore dhe lokale për përballimin e fatkeqësive natyrore, me qëllim parandalimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve.

Për më tepër, duke patur parasysh:

Mungesën e përgjigjes së ministres së Mbrojtjes për takim institucional lidhur me këtë çështje në institucionin e Presidentit të Republikës;

Krizën e rëndë institucionale që ka kapur vendin, përplasjen që ekziston mes institucioneve qendrore dhe lokale, që sjell si pasojë vështirësi në ushtrimin e kompetencave të organeve përgjegjëse;

Qëllimi i kësaj Kërkese ishte informimi mbi funksionalitetin e institucioneve të shtetit në shërbim të qytetarëve, me qëllim parandalimin dhe minimizimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve.

Njëkohësisht, duke patur parasysh që:
– Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 92, gërma “h” sanksionon se: Presidenti kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre;
– Ligji për emergjencat civile neni 5, pika 2, gërma “ç”sanksionon se:

Në ushtrimin e funksioneve të tij për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave kryen këto detyra:

ç) Informon Presidentin dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për emergjencën civile, për pasojat që vijnë, si dhe për masat e marra për shmangien e saj;

Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së Tij me përgjegjësi të plotë, ka ndjekur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimitë bërë publik nga Drejtori i Institutit të Gjeodinamikës në Greqi, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare.

Greqia nuk është vend fqinj me Zelandën e Re, por me Shqipërinë.

Është detyrë thelbësore e një sërë institucioneve zinxhir të shtetit shqiptar të vlerësojnë dhe të marrin masat për riskun potencial të një fatkeqësie natyrore, që nuk është paralajmëruar nga Presidenti i Republikës.

Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion dhe i ka inkurajuar institucionet shtetëtore që të trajtojnë me seriozitet shqetësimin e ngritur nga autoritetet zyrtare greke, me qëllimsigurimin e funksionimit sipas ligjit, të strukturave përgjegjëse shtetërore shqiptare për emergjencat civile.

Rrjedhja e menjëhershme në mediat “lëpirëse” të PPPd-ve të Kërkesës për Informacion të Presidentit të Republikës,  me qëllim manipulimin e opinionit publik dhe shmangien e vëmendjes nga skandalet në rritje, dëshmon vetëm mungesën e respektit ndaj shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit të përgjegjshëm ndërinstitucional.

Vonesat dhe paaftësia e dëshmuar vetëm 2 muaj më parë në menaxhimin e pasojave të tërmetit në Korçë, e verifikuar jo vetëm nga këshilltarët e Presidentit, por dhe nga vetë banorët dhe mediat e pakapura, ishte dhe është e mjaftueshme që Presidenti të kërkojë marrjen e masave në kohë.

U kujtojmë kryeministrit dhe ministrave, se e kanë për detyrë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, t’i përgjigjen me seriozitet të plotë Presidentit të Republikës mbi planin e masave në shërbim të qytetarëve.

Çdo nënvlerësim i ushtrimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të institucioneve të tjera do të shënohet me vëmendje në institucionin e Presidentit.

Presidenti i Republikës garanton se askush nuk do ta ndalojë në ushtrimin e kompetencave të Tij kushtetuese, me përgjegjësi të plotë dhe të papërkulur në interesin më të mirë të funksionimit të shtetit, si dhe në mbrojtjen e interesit më të mirë qytetar, publik dhe kombëtar”, deklaroi Shaqiri./abcnews.al