Radarët kanë dhënë alarmin për prani të anijeve luftarake ruse, të cilat janë pikasur në zonën e Jonit dhe mund të jetë duke u afruar edhe në brigjet shqiptare. Lëvizjet shihen si provokime hije për ta bërë prezencën ruse të ndjeshme ndaj forcave perëndimore që projektojnë Mesdheun.
Duke pasur parasysh momentin delikat, vëmendja është shumë e lartë si nga marina italiane ashtu edhe nga NATO. Kjo i diskutua mbrëmjen e sotme në emisionin “Lufta dhe Paqja” me kapitenin Artur Meçollari dhe ekspertin e gjeopolitikës, Enri Hide. Meçollari tha se këtë gjë e bëjnë për të tërhequr vëmendjen.
“Anijet ruse lëvizin në hapësirë ndërkombëtare ku lejohet sipas së drejtës ndërkombëtare. Anija është duke kaluar në kanalin e Mesinës, ku lejohen anijet e luftës. Ka një rritje të numrit të anijeve ruse të hyra në detin Mesdhe vitin e fundit. Por kjo është një histori që përsëritet një herë në dy muaj.
Të gjitha vendet e Mesdheut qendror janë anëtare të NATO-s dhe kanë flotat e tyre. Anijet ruse kanë vetëm një bazë, në Siri. Dhe kanë një pengesë juridike që është ngushtica turke, ku nuk mund të kalojnë pa lajmërim. Anija ka dalë të tregojë flamurin dhe prezencën.
Nga momenti i daljes së një anijeje ruse nga baza e Sirisë, ajo është në monitorim të plotë si nga ajri dhe deti sepse NATO ka kontroll të plotë.”, tha Meçollari duke shtuar se këtë “e bëjnë për të tërhequr dhe vëmendjen e medias.” /abcnews.al