Rritja e pagave për mjekët specialistë, Ylli: Frenon largimin e bluzave të bardha

schedule18:32 - 6 Mars, 2023

schedule 18:32 - 6 Mars, 2023

Kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e sotme se duke filluar nga 30 Prilli, mjekët specialistë do të marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre. Gjatë fjalës së tij në Kongresin e Parë të Shëndetësisë, kreu i qeverisë shtoi se do të mbajnë zotimin për mjekët dhe specialistët e tjerë për rritje page me 7%.

Epidemiologu Alban Ylli, i ftuar në Special Report me gazetarin Arlind Isa, tha se kjo iniciativë do të frenojë largimin e bluzave të bardha jashtë vendit. Gjatë intervistës në Abc News, epidemiologu shtoi gjithashtu se do të vazhdojë rritja e pagave edhe për mjekët e tjerë dhe infermierët.

“Kjo është një përgjigje nga politika në Kongres dhe që besohet se do të frenojë disa tendenca të vërejtura në Shqipëri që ka të bëjë me thithjen e profesionistëve drejt vendeve më të pasura ku plakja e popullatës i ka vendosur në një nivel kërkesash më të larta.“, tha epidemiologu.

Ndërkaq, Ylli theksoi gjithashtu se duhet një strategji për të mbajtur mjekët nëpër fshatra. “E kemi të nevojshme të punojmë me bonuset për të mbajtur mjekët në periferi të sistemit, në fshat, në qendra të vogla. Të jepen kredi të buta për çiftet e reja të mjekëve që nuk kanë mundësi.“, shtoi ai./abcnews.al