Kanë përfunduar 2 sfidat e sotme të Kategorisë Superiore, ku në përballjen Bylis-Erzeni gjithçka u mbyll në paqe me rezultatin 1 me 1, ndërsa Egnatia “shpërfytyroi” Kastriotin me rezultatin e thellë 4 me 1, duke thelluar edhe më shumë krizën e “krutanëve”.
Në sfidën mes Bylisit dhe Erzenit gjithçka u vendos në pjesën e dytë, ku fillimisht golin e gjetën “ballshiotët” falë brazilianit Esquerdinha në minutën e 65’-të, ndërsa për “shijakasit” mendoi kroati Kahrimanovic, i cili ekzekutoi mrekullisht një penallti në minutën e 91’-të, të sfidës.
Në krahun tjetër Egnatia nuk ndaloi në asnjë moment përpjekjet për gjetjen e rrugës së rrjetës, duke shënuar 2 herë në pjesën e parë, falë dopietës së ganezit Dëamena, ndërsa për “krutanët” realizoi Greca në minutën e 28’-të. Për të vulosur fitoren e “rrogozhinasve” menduan Kasa dhe Laurentino me nga 1 gol në minutat 63’ dhe 92’.
Me këtë fitore Egnatia ngjitet në vendin e 2-të në tabelë me plot 37 pikë vetëm 3 më pak se Tirana kryesuese, ndërkaq për 3 ekipet e tjera gjithçka mbetet e pandryshuar, duke qëndruar në pozicionet e mëparshme, Erzeni në mes të tabelës në vendin e 5-të, ndërsa Bylis dhe Kastrioti luftojnë për mbijetesë në 2 vendet e fundit. /i.m /abcnews.al