Situatë e tensionuar në Bashkisë e Devollit, godina e të cilës është blinduar prej mëngjesit të sotëm nga forca të policisë. Rreth 30 Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë hyrë brenda ndërtesës e po aq janë të pozicionuara jashtë saj.
Kryetari i ri i bashkisë Eduard Duro, që u betua të premten ka mbërritur në zyrë prej orës 06:30, për të shmangur përplasjet me mbështetës të opozitës, të cilët kishin paralajmëruar protestë.
Një orë më vonë ka mbërritur në bashki ish kryetari Bledion Nallbati me mbështetësit e tij.
Edhe ish-kryetari Bledion Nallbati, edhe kryetari Eduard Duro deklarojnë se kanë të drejtë të jenë në zyrën e kryetarit të bashkisë, i pari I shoqëruar me mbështetës, i dyti me polici.
“Unë jam kryetari i ligjshëm i Bashkisë, i zgjedhur me votat e 59 % të qytetarëve të Devollit në një proces legjitim, ku devollinjtë kanë shprehur vullnetin e vet për njerëzit që do i drejtojnë për katër vite. Siç e shikoni tashmë në një proces ku partia shtet ka vendosur ta marrë me dhunë këtë institucion e kanë rrethuar me polici dhe e mban të uzurpuar”, mësohet të jetë shprehur Nallbati për mediat.
Nga ana tjetër Eduart Duro tha se “nga ana e ish-kryetarit të Bashkisë, zoti Bledion Nallbati është njoftuar që do kishte një grumbullim njerëzish, të cilin siç e shikoni ju ka disa punonjës bashkie dhe familjarët e tyre, të cilët me urdhër nga ish-kryetari janë mbledhur para godinës së bashkisë, ndërkohë që tani në këto momente duhet të ishin në zyrat e tyre”./abcnews.al