Pas betimit në Prefekturë kryetari i ri Bashkisë së Devollit, Eduart Duro, ka arritur të hyjë forcërisht në ambientet e institucionit. Ai deklaroi për mediat se nuk do të ketë largime politike. Duro nuk u lejua të hyjë në godinë para orës 16:00 të ditës së sotme nga protesta e simpatizantëve të PD-së dhe LSI-së të cilët bllokuan ambientet e bashkisë.
Ky është një punonjës i shërbimeve publike në Bashkinë e Devollit, i cili po thyen bravën e institucionit. Pasi u hap forcërisht dera kryetari i ri i bashkisë Eduart Duro arriti të hyjë brenda ndërtesës i shoqëruar nga prefekti Dhori Spirollari.
Ndërsa forcat e policisë ishin të pranishme aty, por në distance për çdo situatë të mundshme. Duro deklaroi për mediat se të gjithë ata punonjës që protestuan para bashkisë do të vazhdojnë punën normalisht.
Me të përfunduar orari zyrtar i punës, ish-kryetari i Bashkisë Bledion Nallbati ishte larguar nga ndërtesa e institucionit, nën duartrokitjet e mbështetësve që qëndruan aty për 6 orë.
Gjatë paradites kryetari i ri i Bashkisë Devoll Eduard Duro e kreu ceremoninë e betimit në ambientet e prefekturës, pasi mbështetësit e PD e LSI nuk lejuan mbajtjen në ambientet e bashkisë të mbledhjes së konstituimit të këshillit të ri bashkiak. Në mbledhje asistuan deputetët socialistë Taulant Balla dhe Niko Peleshi. Bashkia e Devollit është e para bashki në vend, që konstituoi këshillin bashkiak të dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit./ABC News Albania 24/7