Porti i Durrësit po zgjerohet, për të bërë të mundur që disa anije të përpunohen njëkohësisht. Kryeministri Rama tha gjatë inspektimit të punimeve se ky do të jetë një ndryshim historik për qytetin bregdetar.
Në Portin e Durrësit kanë nisur punimet për thellimin e basenit dhe kanalit hyrës. Sipas parashikimeve inxhinjerike, kjo ndërhyrje do të mundësojë ankorimin e anijeve të një madhësie deri në 20.000 ton.
Punimet i inspektoi nga afër kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.
Pjesë e planit të ndërhyrjes në port do të jetë edhe terminali i kroçiereve, punimet për të cilin parashikohet të nisin vjeshtën e këtij viti.
“Terminali i korçiereve është i domosdoshëm. Ai e transformon komplet situatën dhe hap rrugë një projekti të jashtëzakonshëm për Durrësin, sepse ai andej, me idenë tjetër që kemi për ta nxjerrë qytetin në breg, duke ndërtuar një marinë turistike, do jetë ndryshim historik”, – tha Kryeministri.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, ky terminal pritet që në përfundim të tij të mirëpresë rreth 2500 turistë në ditë dhe të përpunojë 5 kroçiere njëkohësisht.
/ABC news Albania 24/7