Ari dhe Arigon Avdimetaj janë dy vëllezërit nga Deçani që i kanë bërë krenarë të gjithë shqiptarët, pasi janë ndeshur me një boksier serb në Belgjikë dhe kanë arritur të fitojnë.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ata kanë rrëfyer gjithçka, nga arsyeja pse zgjodhën këngën “Mora fjalë” kur hyn në ring, te fitorja e dyfishtë që shënuan përballë serbit deri te studimet e larta që po ndjekin.
“Po është e vërtetë që të dy u futëm në skenë me këngën “Mora fjalë” dhe fansat tanë mbanin flamurin e UÇK-së. Kjo zgjedhje nuk ishte për provokim, se ky është sport dhe duhet tek e fundit me mbajt në paqe lojën. Ama nuk duhet harruar se çfarë na kanë bërë ata edhe për nga vijmë ne.
Unë kam 21 vite dhe vëllai është 18 vjeç. Ne jemi nga Deçani dhe në 2010 kemi ardhur në Belgjikë për të pasur një të ardhmen më të mirë. Tani studiojmë se këtu në Belgjikë pa diplomë nuk mund të arrish kurrëgjë. Këtu i ki kushtet, pasi nëse merresh me sport ta japin mundësinë për të shkuar më pak në mësim dhe provimet mund t’i japësh më vonë kur të mundësh.
“Mora fjalë” ishte një këngë që të motivon dhe sidomos kur ke një kundërshtar serb përballë. ishte hera e parë që kemi mujt të bëjmë bashkë të gjithë këta shqiptarë, fakti që kam qenë kundër një serbi e ka bërë që të vijnë. Besoj që kundërshtari ka marrë pak frikë që në hyrje dhe kjo gjë u kuptua që në fillim. Ne e kemi të fituar dyfish ndeshjen”, u shpreh Ari si vëllai më i madh./abcnews.al