Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ndodhet në Hagë, ku do të merret në pyetje në Dhomat e Posaçme. Haradinaj pritet të merret sot në pyetje, ndërsa në një portim në “Facebook”, ka dhënë një mesazh ku shprehet këmbëngulës se taksa ndaj Serbisë nuk duhet të hiqet pa njohjen e Kosovës si shtet.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën!
Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë.
Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me ShBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje.
Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë!