Kosova, shteti më i ri në Europë, çdo 17 Shkurt feston shpalljen e Pavarësisë së tretë. Pavarësia e parë, 28 Nëntor 1912, u shpall në shpërbërje të Perandorisë Osmane, një ngjarje me kontribut të pamat nga lufta e popullsisë në Kosovë.
Pavarësia e dytë, 2 Korrik 1990, u shpall në shpërbërje të “perandorisë” jugosllave, viti i fundit i lëngimit të Republikës së Shqipërisë nën diktaturën komuniste. Pavarësia e tretë, 17 Shkurt 2008, u kurorëzua me njohje nga fuqitë kryesore të botës demokratike perëndimore.
Por, rruga drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës, getos së fundit në Europë, ishte dhe mbetet e vështirë.
Njohja e pavarësisë, në atë shkallë sa Kosova të arrijë të bëhet shtet anëtar i OKB-së ka mbetur peng i përplasjeve të interesave të fuqive në shkallë ndërkombëtare, si dhe i problemeve të padrejtësive historike, që bartin një sërë shtetesh, përfshi edhe pesë të BE-së.
Kosova përballet me Serbinë, një shtet armik tejet agresiv dhe refuzues, këmbëngulës i pranimit të krimeve të kryera mbi popullsinë shqiptare. Kjo gjë zhvleftëson pajtimin e modelit franko-gjerman pas Luftës së Dytë Botërore.
Por Kosova ka dhe shpatulla të zbuluara e mungesë mbështetjeje nga politika e shtetit amë, Republikës së Shqipërisë, duke ia vështirësuar edhe më shumë përballjen me armikun.
Republika e Shqipërisë ka mbetur e ngërthyer në një tranzicion që ka rezultuar problematik, rraskapitës, me shumë skandale korrupsioni e keqqeverisjeje dhe që më shumë po i përngjan një periudhe të zgjatur restaurimi të gjithçkaje që diktatura kishte instaluar në këtë vend. Kjo e bën shtet të dobët e të pafuqishëm në mbështetje të Kosovës.
Në 15-vjetorin e Pavarësisë së saj të tretë, Kosova është përsëri në moment kritik, pasi i duhet të përballojë bisedime të vështira, një presion ndërkombëtar që ushtrohet nën atmosferën e luftës në Ukrainë dhe njëherësh të korrigjojë me elegancë gabimet e bëra edhe nga vetë politikanë në Kosovë, me pranime kompromisesh të padenja, siç është rasti i “asosacionit të komunave serbe”, që praktikisht e bosnjakëzon një vend homogjen dhe e bën shtetin e Kosovës jofunksional.
Por Kosova, përsëri, ka treguar vitalitetin e saj, si gjithnjë në historinë e Shqipërisë. Ajo po na jep shembullin e një ekipi qeveritar dhe një kryeministri, që shkojnë në bisedime të vështira me një format serioz shtetari. Kryeministri i Kosovës shpalli se nuk ka marrëveshje pa bisedime.
Përmes bisedimeve duket se do të bëhen përpjekjet për të vijuar kundërshtimin e atyre elementeve që cenojnë në thelb funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
Tek kemi dëgjuar shpesh që kryeministri i Kosovës të etiketohet si komunist e marksist, që ai vetë të ketë shpallur adhurimin e tij për politikën e Nolit, ironia qëndron se, në praktikë, duket se po ndjek mësimin e Ahmet Zogut: “Dil në pazar, por mos u shit, se po u shite nuk ka më pazar”.
Pra, për kryeministrin e Kosovës dhe ekipin e tij, bisedimet kanë përjashtuar politikën e shitblerjes dhe të cedimit në dëm të interesit të vendit, sepse dukshëm është reduktuar faktori i shantazhit.
Në këtë situatë intensifikimi bisedimesh, shtrohet pyetja: Ku janë kryeministri, qeveria, politikanët, ambasadorët e Shqipërisë? Përse papritmas, Shqipëria e zëshme për Ballkanin e Hapur, për mbrojtjen e fytyrës së Serbisë e të Vuçiçit dhe mirëkuptuese për mungesën e sanksioneve të Serbisë ndaj Rusisë, është bërë e heshtur.
Duket sikur Shqipëria zyrtare, por jo kurrsesi populli dhe opinioni i saj, jo vetëm nuk kanë zë për të nxjerrë në mbështetje të qëndrimit të Kosovës në këto bisedime, por janë vetëpërjashtuar prej tyre.
Mjafton të ballafaqohen intervistat më të fundit të të dy kryeministrave për të kuptuar se ku peshojnë secili prej tyre dhe ekipeve që drejtojnë në çështjen kombëtare shqiptare. Kryeministri Kurti foli vetëm e vetëm për përballjen me shtetin armik, Serbinë, dhe se si duhet të bisedohet me armikun që të ka shkaktuar të vrarë e të mohon, edhe sot e kësaj dite, kufomat e mijërave të pagjetur.
Kryeministri Rama, dukshëm i bezdisur, i kushtoi Kosovës vetëm 2.8% të kohës së intervistës, duke u kujdesur të theksojë se çështja me të cilën përballet Kosova është në barrën e shpatullave të kryeministrit të Kosovës, dhe assesi nuk e ndiente njëherësh çështje të qeverisë shqiptare, sepse bindja e tij personale kërkon një tjetër qasje ndaj Serbisë.
Pra, në vend të mesazhit të mbështetjes dhe të përbashkimit të përpjekjeve në këtë etapë delikate për fatet e të gjithë shqiptarëve, kryeministri i Shqipërisë ndjek qasjen personalizuese, parcelizuese dhe diferencuese, në mosrespektim edhe të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila hapet pikërisht me fjalët: “…me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar”.
Rruga e bisedimeve serioze nga kryeministri i Kosovës, por që gjithsesi duhet të jenë më transparente, ka krijuar edhe kushtin përjashtues të pazarit të shitur të kryeministrit të Shqipërisë.
Mesazhi më i kuptimtë është ai i dhënë nga kryeministri Kurti: “I dëshëroj shumë suksese Republikës së Shqipërisë.
Jemi dy shtete të të njëjtit komb dhe do të duhej që të ketë shumë pak shpresa te presidenti i Serbisë, i cili nuk shkëputet dot nga presidenti despotik i Rusisë”. Kryeministri i Shqipërisë ka nevojë ta pranojë.