Autoritetet indiane akuzojnë transmetuesin britanik BBC për evazion fiskal

schedule22:31 - 17 Shkurt, 2023

schedule 22:31 - 17 Shkurt, 2023

Ministria e Financave e Indisë akuzoi të premten rrjetin televiziv publik të Britanisë së Madhe, BBC për evazion fiskal , duke thënë se nuk i kishte deklaruar plotësisht të ardhurat dhe fitimet mbi veprimtarinë e tij në këtë vend.

Autoritetet tatimore indiane përfunduan kontrollin tre ditore në zyrat e transmetuesit britanik në Nju Delhi dhe Mumbai të enjten në mbrëmje. Partitë politike të opozitës dhe organizatat mediatike i kanë kritikuar këto veprime të qeverisë, duke i cilësuar si përpjekje për të frikësuar mediat.

Kritikët e kryeministrit Narendra Modi kanë ngritur pikëpyetje gjithashtu rreth kohës kur u kryen kontrollet. Para disa javësh BBC transmetoi një dokumentar në Mbretërinë e Bashkuar që ishte kritik ndaj kryeministrit Modi.

“Departamenti mblodhi disa prova në lidhje me funksionimin e organizatës (mediatike), të cilat tregojnë se nuk janë paguar taksat për një pjesë të të ardhurave nga jashtë”, tha Bordi Qendror i Taksave në një deklaratë.

Në deklarat thuhej se kishte “mungesë e mospërputhje” informacioni dhe se autoritetet kishin mbledhur “prova thelbësore” nga deklaratat e punonjësve, prova dixhitale e dokumente, të cilat do të shqyrtoheshin plotësisht më vonë.

Deklarata akuzonte BBC-në se nuk kishte paguar taksa mbi të ardhurat e punonjësve të huaj e që kishin punuar në Indi për periudha të shkurtra.

BBC tha në një deklaratë se do t’i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme çdo komunikimi të drejtpërdrejtë zyrtar të marrë nga Departamenti i Tatimit mbi të Ardhurat.

“Ne po mbështesim personelin, disa prej të cilëve janë përballur me marrje në pyetje për një kohë të gjatë ose u është kërkuar të qëndrojnë gjatë natës. Mirëqenia e tyre është prioriteti ynë. Ne i jemi kthyer tashmë normalitet dhe mbetemi të përkushtuar për t’i shërbyer audiencës sonë në Indi dhe më gjerë”, thuhej në deklaratën e BBC-së.

Agjencia e lajmeve “Press Trust of India” citoi zyrtarë anonim të kenë thënë të enjten se hetuesit mblodhën të dhëna financiare nga disa punonjës të BBC-së, kopjuan të dhëna nga kompjuterat dhe nga dokumente që u gjetën brenda zyrave të BBC-së.

Udhëheqësi i partisë kryesore opozitare në Kongresin e Indisë, Mallikarjun Kharge, e cilësoi kontrollin e zyrave të BBC-së si një sulm ndaj lirisë së shtypit nën qeverinë e kryeministrit Modi.

Reporterët pa Kufij, një mbikëqyrës ndërkombëtar i medias, denoncoi veprimin e qeverisë si “përpjekje për të shtypur median e pavarur”.

“Këto bastisje kanë pamjen e një hakmarrjeje kundër BBC-së për publikimin e një dokumentari kritik ndaj kryeministrit Narendra Modi tre javë më parë. Kontrollimet u bënë në një kohë kur mediat e pavarura po përndiqen gjithnjë e më shumë, kur pluralizmi po tkurret në Indi dhe për shkak të kontrollimit të medias nga një numër çdo herë e më i vogël i njerëzve”, tha grupi në një deklaratë të enjten.

Dokumentari, “India: Çështja Modi”, u transmetua në Britani muajin e kaluar, duke trajtuar rolin e kryeministrit në trazirat anti-myslimane të vitit 2002 në shtetin perëndimor të Guxharatit, ku ai ishte kryeministër në atë kohë. Më shumë se 1000 njerëz u vranë gjatë dhunës.

Kryeministri Modi ka mohuar pretendimet se autoritetet nën mbikëqyrjen e tij lejuan dhe madje inkurajuan gjakderdhjen, dhe Gjykata e Lartë tha se nuk gjeti prova për ta ndjekur atë penalisht. Vitin e kaluar, gjykata hodhi poshtë një peticion të paraqitur nga një viktimë myslimane që vinte në dyshim vendimin që shfajësonte zotit Modi.

Programi nxiti reagim të menjëhershëm nga qeveria e Indisë, për të bllokuar transmetimin e dokumentarit në Indi. Autoritetet lokale u përpoqën të ndalonin transmetimet e organizuara në universitetet indiane. Platformat e rrjeteve sociale përfshirë Twitter dhe YouTube u pajtuan me kërkesat e qeverisë për të mos e lejuar publikimin e dokumentarit të BBC-së.

BBC tha në atë kohë se dokumentari ishte “shqyrtuar në mënyrë rigoroze” dhe përfshinte një gamë të gjerë zërash dhe opinionesh.

“Ne i ofruam qeverisë indiane të drejtën për t’iu përgjigjur çështjeve të ngritura në dokumentar, por ajo nuk pranoi të përgjigjet”, tha transmetuesi publik britanik.

Ministria e Jashtme e Indisë e quajti dokumentarin një “propagandë të krijuar për të nxitur një debat diskreditues” e që i mungonte objektiviteti./VOA