SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës ka ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për 5 punonjës policie dhe 1 shtetas, për korrupsion.
Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal të vitit 2019 regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 259 të Kodit Penal, në ngarkim të punonjësve të policisë së Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.
Në përfundim të aplikimit të metodave speciale të hetimit janë grumbulluar prova paraprake, mbi bazën e të cilave Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur masat e sigurimit në ngarkim të shtetasve:
- “Arrest me burg” për punonjësin e policisë F.XH., 58 vjeç, nga Tirana;
- Duke u nisur nga rrethanat familjare referuar të dhënave të gjendjes civile (fëmijë nën moshën 3 vjeç) caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest shtëpiak” për punonjësen e policisë A.M., 25 vjeçe, nga Tirana;
- “Arrest në shtëpi” për punonjësin e policisë B.A., 48 vjeç, nga Tirana;
- “Pezullim i ushtrimit të detyrës”, për punonjësin e policisë E.K,. 28 vjeç, nga Tirana;
- “Pezullim i ushtrimit të detyrës” për punonjësin e policisë F.D., 38 vjeç, nga Tirana;
- “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin F.L., 35 vjeç, nga Tirana, i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”.
SHÇBA nxit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor./abcnews.al