Mungesa e ushtrimeve fizike i kushton BE-së 8 miliardë euro në vit

schedule20:02 - 17 Shkurt, 2023

schedule 20:02 - 17 Shkurt, 2023

Mungesa e ushtrimeve fizike mes evropianëve u kushton vendeve të Bashkimit Evropian 8 miliardë euro në vit, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Më shumë se një e treta e të rriturve në bllokun evropian nuk ndjekin udhëzimet e OBSH-së, të cilat rekomandojnë të paktën 150 minuta ushtrime intensive në javë, thotë sondazhi. Pothuajse gjysma e të anketuarve në Eurobarometrin e fundit raportuan se nuk ushtrohen apo merren me ndonjë sport.

Tashmë normat janë përkeqësuar nga pandemia e koronavirusit, më shumë se gjysmën e të rriturve pranojnë se nuk ushtrohen.

“Raporti ofron prova se investimi në politika për të promovuar aktivitetin fizik jo vetëm që përmirëson shëndetin individual të popullsisë, por gjithashtu sjell përfitime ekonomike,” tha Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.

“Çdo euro e investuar në aktivitete fizike kthehet pothuajse dyfish rreth 1.7 euro përfitime ekonomike”, shtoi ai.

Ushtrimi shpëton jetë

Megjithatë, ushtrimi dhe udhëzimet përkatëse për qytetarët nuk synojnë vetëm kursimin e parave, por kryesisht shpëtimin e jetëve.

Sipas raportit, ushtrimet fizike mund të parandalojnë mbi 10,000 vdekje të parakohshme në Bashkimin Evropian çdo vit.

E njëjta analizë zbuloi se nëse të gjithë do të ndiqnin udhëzimet e rekomanduara të stërvitjes, 11.5 milion raste të reja të sëmundjeve jo të transmetueshme mund të parandaloheshin deri në vitin 2050 në bllokun evropian duke përfshirë rreth 3.8 milion raste të sëmundjeve kardiovaskulare, pothuajse 1 milion raste të diabetit të tipit 2 dhe mbi 400,000 raste të llojeve të ndryshme të kancerit. Dhe, duke pasur parasysh përfitimet e shëndetit mendor të ushtrimeve, 3.5 milionë raste të tjera të depresionit do të parandalohen deri në vitin 2050.

“Aktiviteti i pamjaftueshëm fizik ishte jashtëzakonisht i zakonshëm në disa vende të Evropës Jugore, ndërsa në vendet nordike aktiviteti fizik ishte më i lartë”, thuhet në raport.

Finlanda është renditur në vendin e parë si shteti ku ushtrohen më shumë ushtrimet fizike, e ndjekur nga Suedia. Ndërsa në vend të parë të kombeve që nuk ushtrojnë, vjen Portugalia, e ndjekur nga Gjermania, Qiproja dhe Italia. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!