Google vs ChatGPT: Beteja e Gjigantëve për Kërkimet në internet

schedule20:58 - 16 Shkurt, 2023

schedule 20:58 - 16 Shkurt, 2023

A do t’i besoni një sistemi të inteligjencës artificiale për t’ju dhënë përgjigje për çështje kritike politike, sociale ose mjekësore, veçanërisht në një botë në internet ku rreziku i keqinformimit dhe polarizimit ekstrem egziston? Kjo pyetje mund të shqetësojë gjithnjë e më shumë njerëz në të ardhmen pasi në internet askush nuk është i sigurt.

Debati për këtë çështje u ndez nga ardhja e fundit e sistemit të inteligjencës artificiale ChatGPT nga startup OpenAI, në të cilin Microsoft po investon miliarda. Ky mjet i ri ka aftësinë për t’u dhënë përgjigje përdoruesve në formën e një diskutimi. Përveç kësaj, ai është i aftë të shkruajë punime akademike dhe poezi, si dhe të krijojë kode.

Madje, të shumtë ishin ata që argumentuan se ky mjet i ri ka të ngjarë të kërcënojë epërsinë e Google në fushën e kërkimeve në internet. Prandaj, kompania e saj mëmë, Alphabet, prezantoi javën e kaluar Bard, një chatbot që ka aftësi të ngjashme me ChatGPT. Bard, megjithatë, nuk pati një fillim të mirë pasi nuk arriti t’i bënte përshtypje investitorëve.

A është ky fillimi i fundit për termin “Googling” që është bërë sinonim i kërkimit në internet?

Dy ekspertë të fushës së Inteligjencës Artificiale kanë folur për sfidat e reja që do të sjellë përdorimi i inteligjencës artificiale në kërkimet tona të përditshme në internet.

“Thembra e Akilit” e Google dhe konkurrentët

“Google mund të ketë nxituar t’i ‘përgjigjet’ ChatGPT me Bard,” thotë Mark Lee, Profesor i Inteligjencës Artificiale në Departamentin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Birminghamit.

Sipas tij, vendimi i Microsoft për të integruar ChatGPT në motorin e kërkimit Bing ishte një veprim i zgjuar. Madje ai thekson se ndërsa Google aktualisht dominon në fushën e kërkimeve online, ai “asnjëherë nuk ka qenë i mirë në integrimin e teknologjive të reja”, diçka për të cilën Microsoft shquhet.

Profesori argumenton se gjithçka do të varet nga sa mirë gjigantët teknologjikë do të përdorin elementin e inteligjencës artificiale. “Ai që bën lëvizjet më korrekte do të jetë dominuesi i ri i tregut”, vëren ai. “Pra, është e hapur ndaj mundësisë që Google të humbasë primatin.”

Nga ana e tij, Dr. Jim Phan, ekspert për Inteligjencën Artificiale dhe studiues në kompaninë amerikane Nvidia, tregon rëndësinë e reklamimit në drejtim të fitimeve të gjigantëve teknologjikë, duke deklaruar se edhe me integrimin e mjeteve të inteligjencës artificiale, “Do të jetë e mundur të shtohen reklama në disa nga ‘përgjigjet’ që do të japin chatbot-et dhe kompanitë nuk do të humbasin të ardhurat e tyre prej tyre.

Megjithatë, siç thekson profesori Mark Li, konkurrentët kryesorë në epokën e re të internetit që do të sjellë integrimi i inteligjencës artificiale do të jenë Google, Microsoft dhe kinezi Baidu, i cili gjithashtu ka njoftuar se do të lançojë chatbotin e vet.

Faktori i besueshmërisë është i rëndësishëm

Në të njëjtën kohë, duket se një nga faktorët kryesorë që do të përcaktojë konkurrencën mes kompanive do të ketë të bëjë me vlefshmërinë dhe besueshmërinë e informacionit që do të ofrohet nga mjetet e inteligjencës artificiale.

Informacioni i gabuar i ofruar nga Bard i Google për James Webb nuk është shembulli i vetëm i “sjelljes” problematike nga një chatbot.

“Padyshim që kam parë gabime nga shumë mjete të AI”, thotë Dr Fan. “Kam provuar disa prej tyre dhe nuk më kanë dhënë gjithmonë përgjigjet e duhura. Këto sisteme, natyrisht, përditësohen vazhdimisht, dhe një gabim që ekzistonte muaj më parë ka të ngjarë të jetë ndrequr sot. Por gjithmonë do të gjenden elementë problematikë”.

Për më tepër, në ChatGPT, profesor Mark Lee flet për raste kur përgjigjet e tij shoqëroheshin me referenca të fabrikuara akademike. “Kjo duhet rregulluar”, thekson ai. “Unë mendoj se ka shqetësime për lajmet e rreme në internet dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që inteligjenca artificiale të mos i përkeqësojë gjërat.”

“Çështja e besueshmërisë është një shqetësim i madh si për investitorët ashtu edhe për përdoruesit”, thotë Dr Fan. “Do të vijë një kohë kur përdoruesit do të përdorin inteligjencën artificiale për të bërë pyetje të natyrës financiare apo mjekësore dhe nëse përgjigjet që marrin janë të gabuara, atëherë do të ketë pakënaqësi. Nuk e di se kur do të arrijmë në atë fazë, por të gjithë motorët e kërkimit mund të bëjnë gabime të tilla.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!