Tërmeti tragjik, Shqipëria dhuron 1 milion euro për Turqinë

schedule07:19 - 16 Shkurt, 2023

schedule 07:19 - 16 Shkurt, 2023

Shqipëria ka dhuruar 1 milion euro për të prekurit nga tërmeti në Turqi. Kryeministri Edi Rama telefonoi live gjatë fushatës “Turqia një zemër” që u transmetua njëherësh në disa kanale televizive të Turqisë, ku shprehu ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti tragjik i pak ditëve më parë.

Teksa bëri me dije shifrën, kryeministri theksoi se nuk ka harruar se çfarë bëri Turqia dhe Erdogan për tërmetin e 2019-ës. “Ne dërguam ekipet tona të ndihmës për të ndihmuar sa mundëm. Ne e dimë se jemi një vend i vogël. Nuk kemi harruar atë që Turqia dhe Erdogan bëri për ne në tërmetin e 2019.

Ne bëmë maksimumin për të mbështetur popullin turk. Falë përpjekjeve fantastike të Turqisë, jam i sigurt se gjithçka do të jetë e suksesshme. Ne po dhurojmë 1 milion euro në emër të popullit shqiptar. E di që nuk është shumë, duhet shumë më tepër. Kjo është gjithçka që mund të bëjmë tani. 

E rëndësishme është që zemrat tona të jenë një dhe të bëjmë më të mirën.”, tha Rama. “Shqipëria mund të jetë vend i vogël, por ka zemër të madhe. Faleminderit që na u bashkuat.“, shtoi moderatori në studio.

Shqipëria shpalli të hënën një ditë zie kombëtare për tërmetet shkatërruese të javës së kaluar në Turqi dhe Siri. Flamujt në institucionet shtetërore u ulën në gjysmë shtizë. Shqipëria ishte ndër vendet e para që i dha mbështetjen e saj Turqisë pas tërmeteve të 6 shkurtit.

Përpjekjet e kërkim-shpëtimit turke u ndihmuan nga një ekip shqiptar prej 53 personash nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, e ndjekur nga 20 persona të tjerë. Të paktën 35,418 njerëz kanë humbur jetën nga tërmeti në Turqi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!