Mani Pakiao sërish kampion bote në Boks

schedule16:00 - 21 Korrik, 2019

schedule 16:00 - 21 Korrik, 2019

Mani Pakiao u bë kampioni më i vjetër i botës në peshat e mesme të boksit profesionist. Legjenda nga Filipinet mundi amerikanin Tërman në Las Vegas.

Çfarë emri duhet t’i vemë këtij njeriu? Mani Pakiao është edhe boksier profesionist, edhe politikan dhe senator i Filipineve, ndërsa mbrëmjen e fundit ishte në versionin sportiv.

Veterani i ringut e shtoi edhe më shumë legjendën e tij pasi fitoi titullin botëror në peshat e mesme, në luftën ndaj amerikanit Keith Tërman.

Filipinasi e hodhi nokdaun kundërshtarin e tij 10 vjet më të ri, veçse dueli vazhdoi deri në mbyllje të 12 raundeve.

Fitorja iu dha me vendim të ndarë të tre gjyqtarëve në ringun e vendosur në Arenën e famshme të Las Vegasit.

Dy gjyqtarë dhanë rezultatin 115-112 për Pakiaon, ndërsa njëri vendosi në favor të Tërmanit, 114-113.

Kjo do të thotë se Pakiao u bë kampioni më i vjetër i botës në historinë e peshave të mesme.

Në një karrierë 23-vjeçare, 40-vjeçari mban rekordet si i vetmi kampion i botës në histori në 8 divizione të ndryshme, dhe si I vetmi që ka fituar 12 tituj të mëdhenj botërorë.

Me më shumë se 1 miliardë USD përfitime nga boksi, Pakiao besohet se do të kërkojë ta vazhdojë karrierën dhe pse jo, të ketë një tjetër superndeshje me Floj Mejuedhërin. /ABC News Albania 24/7