Berluskoni: Nëse do isha kryeministër nuk do të shkoja kurrë të flisja me Zelensky-n

schedule21:09 - 12 Shkurt, 2023

schedule 21:09 - 12 Shkurt, 2023

Pas ushtrimit të së drejtës së tij të votës, të dielën në Milano për zgjedhjet rajonale të Lombardisë, ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi iu referua edhe një herë në mënyrë kritike presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Me deklaratat e tij ai u diferencua nga qëndrimi i qeverisë Meloni, e cila është në anën e Ukrainës.

“Nëse do të isha kryeministër, nuk do të shkoja kurrë të flisja me Zelensky, sepse ne shohim se vendi i tij po shkatërrohet dhe se ushtarët dhe qytetarët e vendit të tij po masakrohen. Nëse ai ndalonte së sulmuari dy republikat autonome të Donbasit, kjo nuk do të ndodhte. Rrjedhimisht, unë gjykoj shumë negativisht sjelljen e këtij zotërie”, tha Berlusconi.

Qendra e Majtë italiane i komentoi këto deklarata duke theksuar se “Berluskoni është në anën e Putinit”. Deputetët e Partisë Demokratike të qendrës së majtë kërkuan të dinin pikëpamjen e kryeministres Georgia Meloni për këtë çështje.

Tashmë përpara zgjedhjeve të 25 shtatorit, kreu i Forza Italia kishte deklaruar se me sulmin e tij Putin donte vetëm të zëvendësonte qeverinë në Kiev “me njerëzit e duhur”./abcnews.al/