TIRANË- Pas arrestimit, ish-zyrtarja Alda Klosi, tashmë po përballet me sekuestrimin e pasurisë. Gazetari i ABC News Ermal Vija raporton se Klosit i janë sekuestruar një apartament dhe një garazh në pronësi të saj, pasuri këto, që nuk i kishte të deklaruara.
“Ka pasur në pronësi, një apartament dhe garazh të cilët nuk i kishte deklaruar, por pas dëshmisë së pastrues Rozeta Dobit janë vënë nën sekuestro nga prokuroria e Tiranës. Apartamenti dhe garazhi ndodhen në rrugën Kongresin e Lushnjës”, raportoi gazetari Vija.
Këto lëvizje të drejtësisë vijnë pas dëshmisë së sanitares Rozeta Dobi. Arrestimi i ish-zyrtares së lartë u bë pas zbulimit të një shume monetare në apartamentin e sanitares Rozeta Dobit, e cila u akuzua nga Klosi për vjedhje. Por ish-zyrtarja deklaroi një shumë më të vogël se sa ajo që u gjet në shtëpinë e pastrueses.
Sipas Policisë së Tiranës, Alda Klosi, është e dyshuar për veprat penale; “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”/abcnews.al