Bashkia e Tiranës ka nisur transformimin e Parkut Rinia. Kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se do të kthehet në një oaz çlodhës në kryeqytet ndërsa numri i frekuentuesve do të dhjetëfishohet.
Shumë shpejt parku “Rinia” në qendër të Tiranës do të marrë këtë pamje.
Bashkia ka nisur punimet për ta transformuar.
Kryebashkiaku Erion Veliaj shkoi për t’i inspektuar ndërkohë iu dha dhe një përgjigje kritikeve e projektit.
“Sa herë plas historia e ‘skandal, skandal, skandal’, në portalet e gjumit, është muzikë për veshët e mi sepse them: Ka filluar një tjetër punë e bashkisë. Ndaj, kur lexova portalet që shkruanin: ‘skandal te parku “Rinia”, po betonizohet’, thashë më në fund filloi puna dhe nuk do presim katër vjet që të mbajmë premtimet. Do të shkojmë nga një park estetik për syrin, që përdoret nga vetëm disa qytetarë, në një park të transformuar që do të përdoret nga dhjetëfishi i qytetarëve që e frekuentojnë sot atë; një park, i cili do të rikonceptohet si një park ‘butik’ i asaj zemrës së Tiranës”
Pas çlirimit nga ndërtimet pa leje në parkun “Rinia” kane munguar investimet. Rehabilitimin e tij kryetari i bashkisë thotë se e ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore të 30 qershorit.
“Nuk kemi pritur as 4 javë që të fillojmë mbajtjen e premtimeve të 30 qershorit, një prej të cilave ishte rehabilitimi i total i parkut “Rinia”, një park i cili shpëtoi falë kryebashkiakut Edi Rama në mandatin e tij, që u çlirua nga “republika e rrumpallës”
Duam që ky park të mos jetë vetëm një fjetinë e madhe për ata që i kap dremitja e drekës në park ose për ata që vandalizojnë ‘Monumentin e Pavarësisë’, por të rikonceptohet totalisht, për të pritur disa grupmosha qytetarësh”
“Monumenti i Pavarësisë” parashikohet të rrethohet nga një basen ujor. Një hapësirë e veçantë do ti dedikohet atyre që dëshirojnë të luajnë me katërputroshet. Projekti parashikon krijimin e minishesheve për fëmijë e të moshuar dhe shtrimin e rrugicave me gurë dekorativ./ABC News Albania 24/7