Afrimet e shumta gjatë merkatos së dimrit, ku “blutë” e Londrës sollën në “Stamford Bridge” plot 8 lojtarë, priteshin që të pasoheshin me largime të shumta, ku ndër të parët që u largua ishte Jorginho, me mesfushorin italian që iu bashkua rivalëve të Arsenal.
Pas Jorginhos, radhën duket se ka “bomberi” nga Gaboni, Pierre-Emerick Aubameyang, me mediat angleze që e lidhin sulmuesin me një lëvizje të mundshme drejtë amerikanëve, të Los Angeles FC.
Për këtë lëvizje ka folur dhe trajneri i “bluve”, Graham Potter, i cili në një konferencë për shtyp ka hedhur poshtë të gjitha aludimet, ku tha se nuk ka asnjë lajm për një transferim të Aubameyang.
“Nuk ka asnjë lajm. Ai u stërvit dhe ia doli mirë. Ai është një profesionist i shkëlqyer, ai ka mbështetur shokët e tij të skuadrës dhe për sa kohë që ai është me ne, ai do të bëjë gjithçka që duhet bërë”,- është shprehur Potter, në fjalën e tij. /i.m /abcnews.al