Pas shkarkimit ditën e djeshme të kandidatit për në Gjykatën Kushtetuese Ilir Mustafaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar mëngjesin e sotëm gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës Anila Guri Kristani, gjithashtu kandidate për në Kushtetuese.
Në përfundim të hetimit administrativ për gjyqtaren Guri, asaj i kanë rezultuar probleme te pasuria. Sipas relatorëve të çështjes në KPK, gjyqtarja nuk kishte kryer deklarim të saktë të pasurisë ne ILDKPKI, s’ka burime të ligjshme, ndërsa ka kryer fshehje e deklarim të rremë.
Gjatë ditës së djeshme, të njëjtin fat pati edhe një tjetër kandidat për në Gjykatën Kushtetuese. Ilir Mustafaj, gjyqtar i Gjykatës së Tiranës, rezultoi me probleme me pasurinë. E vetmja kandidate nga gjyqtarët, për në Kushtetuese që ka kaluar vettingun është gjyqtarja Regleta Panajoti.
Ndërkohë, ditën e sotme është konfirmuar në detyrë drejtuesi i Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano. Ai ka rezultuar i pastër në të tre shtyllat e vlerësimit. /ABC News Albania 24/7