Një sherr ka shpërthyer mes drejtuesve të Bayernit dhe Manuel Neuer. Portieri bavarez ka kritikuar klubin për shkarkimin e trajnerit të tij të portierëve që nga viti 2011 dhe shokut të ngushtë Toni Tapalovic.
“Ai vendosi interesat e tij personale mbi interesat e klubit”, tha drejtori sportiv i Bayern Munich, Hasan Salihamidzic për gazetën Bild. E kuptoj që Manuel është i prekur personalisht. Por si drejtues do të prisja një qëndrim tjetër prej tij. Vendimi i vështirë në lidhje me Tapaloviç nuk kishte të bënte me Neuerin dhe ne ia shpjeguam atij”, shtoi ai.
Në fakt, ai la të hapur mundësinë e ndëshkimit për Neuerin, i cili do të humbasë pjesën e mbetur të sezonit pasi pësoi një dëmtim të rëndë teksa bënte ski pas Kupës së Botës.
“Ne kemi ende një çështje shumë të rëndësishme për të zgjidhur me Manuelin. Nëse do të ketë pasoja, ne fillimisht do t’i diskutojmë ato me të”, tha Hasan Salihamidzic.
Kujtojmë se Neuer ka thënë për largimin e Tapalovic: “Ishte një goditje për mua. Ishte sikur të më kishin hequr zemrën”. /G.D abcnews.al/