Debate të ashpra për Kosovën, incidente e fajësime reciproke mes qeverisë e opozitës në Serbi

schedule15:23 - 4 Shkurt, 2023

schedule 15:23 - 4 Shkurt, 2023

Seanca dyditore e parlamentit të Serbisë për Kosovën do të duhej të prezantonte një lloj dialogu të brendshëm ndaj propozimit gjermano-francez. Por ajo kaloi në zhurmë e debate të ashpra.

Seanca e posaçme e Kuvendit të Serbisë u zhvillua në atmosferë të tensionuar dhe mund të thuhet se pas zënkave dhe akuzave reciproke për tradhti u dëshmua edhe një ndarje e thellë brenda parlamentit në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Qeveria nga ana e saj vazhdon të akuzojë autoritetet e mëparshme se kanë kontribuar në pavarësinë e Kosovës, ndërsa opozita vetë është e ndarë përsa i përket mbështetjes për planin gjermano-francez për Kosovën. Pjesa proevropiane e opozitës mendon se ky plan duhet mbështetur, ndërsa opozita me orientim më nacionalist e sheh zbatimin e këtij plani si mbështetje për krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe shfuqizimin e Republikës Srpska.

Vijat e kuqe për Serbinë

Fjalën kryesore, që mund të quhet edhe monolog, e mbajti presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Ai kryesisht bëri thirrje për përkrahjen e Kushtetutës së Serbisë, dhe siç u theksua vijat e kuqe për Serbinë janë formimi i Asosiacionit të Komunave Serbe dhe mospranimi i një ulëseje për Kosovën në Kombet e Bashkuara. U tërhoq vëmendja edhe në faktin se ende po diskutohet për planin, i cili nuk është i njohur definitivisht, por qeveria thekson se ai është vetëm platformë për bisedime dhe se ende nuk është nënshkruar asgjë.

Diskutim rreth të panjohurës

Edhe Dejan Bursaç nga Instituti për Studime Politike, tërheq vëmendjen për DW lidhur me mostransparencën e palës serbe për negociatat me Kosovën dhe shton “se ne ende nuk jemi të sigurtë se çfarë përmban propozimi gjermano-francez, megjithëse kemi disa përvijëzime në mediat serbe. Atëherë na mbetet vetëm t’i besojmë Vuçiçit se është vërtet ai propozim, ose është ndonjë strategji e tij për të dalë në publik me skenarin më të keq, me qëllim që më vonë ndonjë variant më të butë ta paraqesë si suksesin e madh të tijin”, mendon Bursaç.

Në seancën e Parlamentit të Serbisë, Presidenti i Serbisë prezantoi edhe politikën e tij, apo planin 10-pikësh për Kosovën e Metohinë, sipas tij, i cili përfshin edhe integrimin evropian dhe zhvillimin ekonomik. Këtu nuk kishte surpriza të mëdha, u fol për paqen dhe stabilitetin, sigurinë për serbët në Kosovë, ku thuhet se Serbia nuk do t’u përgjigjet provokimeve, përveç nëse jeta dhe pasuria e serbëve rrezikohen si në vitin 2004.

Mbajtja e konfliktit?

“Aleksandar Vuçiçit thjesht i është dashur të dalë me diçka para opinionit publik”, mendon Dejan Bursaç, “sepse ishte krijuar përshtypja nga reagimet se Vuçiçi kishte pranuar diçka, që thënë thjesht mund të shihet si njohje e Kosovës. Kështu e shoh edhe këtë paraqitje në parlament, si përpjekje për ta reduktuar këtë dëm në publik”.

Disa herë në këtë seancë të posaçme u përsërit se vijat e kuqe për Beogradin janë krijimi i Asosiacionit të Komunave Serbe dhe kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Dragan Popoviç thekson se “e gjithë drama rreth kësaj është që të mbahet konflikti, sepse pa të nuk ka aq mundësi për rritje tensionesh dhe futjen e frikës tek njerëzit në Serbi. Sa i përket Kosovës në OKB, ajo nuk do të varet nga Serbia. Serbia mund të thotë edhe se nuk ka asgjë kundër, por në fund vendosin shumë faktorë më të rëndësishëm si Rusia dhe Kina”, thekson drejtori i Qendrës për Politikë Praktike.

Asosiacioni – i rëndësishëm vetëm në letër

Nëse shikojmë atë që paraqitet si propozim gjermano-francez, aty shohim se në fakt bëhet fjalë për njohjen e Kosovës, tërheq vëmendjen Dejan Bursaç: “Nga ana tjetër Serbia fiton Asociacionin si diçka që për qëllime marketingu mund t´u paraqitet si sukses qytetarëve të Serbisë. Por Asociacioni mund të rezultojë si diçka, që nuk ka rëndësi veçse në letër. Kemi këtu shembullin e Këshillit të përbashkët të komunave, që është formuar në bazë të marrëveshjes së Erdutit në vitin 1997. Ai në letër ka kompetenca të mëdha, por në praktikë funksionon si një organizatë e zakonshme joqeveritare”, vëren Bursaç.

Sanksionet ndaj Rusisë  pashmangshme?

Një pjesë shoqëruese e debatit në parlament, por jo më pak e rëndësishme, ishin edhe sanksionet ndaj Rusisë, për të cilat politikanët serbë flasin gjithnjë e më hapur. Presidenti i Serbisë thotë kështu “se Serbia me shumë gjasa do të duhet t`i vendosë sanksione Rusisë”, dhe se “shteti për shkak të mosvendosjes së sanksioneve paguan ndërkohë një çmim të lartë”. Kjo është përsëritur njëzëri edhe nga përfaqësues të tjerë të lartë të pushteit në Serbi, dhe Dragan Popoviç konstaton “se Vuçiçi të gjitha këto i ka lidhur në një pako, së bashku me presionet e Perëndimit rreth Kosovës dhe se ai do të mundohet të negociojë diçka me të dyja çështjet. Sinqerisht aty nuk kam vënë re ndonjë presion të tepruar lidhur me sanksionet kundër Rusisë. Po të kishte patur, do ta kishim tashmë të paktën një lloj sanksioni kundër Rusisë”, beson Popoviç.

Dejan Bursaç thotë se ky presion ekziston dhe se hapësira për të manovruar është ngushtuar pas luftës në Ukrainë. “Besoj se do të bëhet kujdes, që nëqoftëse kjo ndodh, të jetë në një volum sa më të vogël. Megjithatë mendoj se do të arrihet një ekuilibër. Ky mund të jetë pranim i një pjesë të sanksioneve, por aq sa të mos rrezikohen interesat kombëtare dhe ekonomike të Serbisë. Natyrisht, pyetja është se si do ta kuptojë atë ana ruse”, përfundon Dejan Bursaç./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!